RMV, 27 raste të reja me kollë të madhe, katër janë hospitalizuar

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 30 Prill, 2024 08:07

RMV, 27 raste të reja me kollë të madhe, katër janë hospitalizuar

Në javën e kaluar janë raportuar 27 raste të reja me kollë të mirë, me një rënie prej 41 përqind krahasuar me shtatëditorin paraprak, njofton Instituti për Shëndet Publik (IShP). Numri më i madh i rasteve është raportuar në Shkup, ndërsa ka pasur edhe në Manastir, Kumanovë, Tetovë dhe Demir Hisar. Mosha e pacientëve varion nga një muaj deri në 54 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha 10 deri në 14 vjeç, transmeton Portalb.mk.

“Sa i përket statusit të vaksinimit të të sëmurëve, 15 persona janë të pa vaksinuar plotësisht, të pavaksinuar ose me status të panjohur vaksinimi, 11 janë të vaksinuar plotësisht dhe një i vaksinuar sipas moshës. Nga 27 të sëmurët e rinj, 4 janë shtruar në spital. Në vend deri më 25 prill janë regjistruar gjithsej 516 raste me kollë të mirë”, thuhet në raportin e IShP-së.

Sipas të dhënave nga evidenca e regjistrimit (për një periudhë shtatëditore nga e hëna në të diel), ka një rritje të vazhdueshme të numrit të rasteve në baza javore, deri në javën e dymbëdhjetë. Pas kësaj, me variacione të vogla, numri i rasteve të raportuara zvogëlohet.

“Sa i përket statusit të vaksinimit, 309 persona nga të sëmurët nuk janë vaksinuar, janë të vaksinuar jo plotësisht sipas moshës dhe kalendarit të imunizimit, ose kanë status të panjohur vaksinimi. Janë 207 persona të vaksinuar plotësisht ose të vaksinuar sipas moshës së tyre”, thuhet në raport.

Përveç vaksinës, nuk ka kurë tjetër për kollën e mirë. Autoritetet kanë miratuar një masë sipas së cilës fëmijët nuk mund të shkojnë në kopsht të pavaksinuar. Epidemiologët insistojnë për vaksinimin e popullatës, veçanërisht pasi Komisioni i Sëmundjeve Infektive propozoi në shkurt që në Shkup të shpallet epidemi e kollës së mirë.

Kujtojmë se në periudhën prej 18 janarit deri më 25 prill të këtij viti, janë aplikuar 42,857 doza të vaksinës kundër kollës së madhe.

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 30 Prill, 2024 08:07