Çfarë premtuan partitë për të rinjtë?

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 6 Maj, 2024 19:24

Çfarë premtuan partitë për të rinjtë?

Blendi Hodai, student në Fakultetin Filozofik, aktivist civil dhe drejtor i Forumit për Ndryshime Arsimore, theksoi se shumica e programeve të partive politike për të rinjtë në këto zgjedhje janë përsëritje e premtimeve nga zgjedhjet e fundit, pra shkruajnë të njëjtin “copy-paste”, duke theksuar se janë vetëm në formë deklarative

Vendi po përgatitet për zgjedhjet parlamentare dhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të planifikuara për në 8 maj dhe në qendër të formësimit të agjendës politike pak a shumë kanë qenë të rinjtë. Arsimi, çështjet që lidhen me standardin e të rinjve dhe të drejtat e studentëve janë pjesë e programeve zgjedhore të shumicës së partive politike.

Në “Programin për Ardhmërinë Evropiane” të koalicionit të udhëhequr nga LSDM, fokusi tek të rinjtë është vendosur në pikën e fundit, me titull “Rinia – shtyllë e shoqërisë” ku ekziston një një lloj “Manifesti Rinor” i rinisë së socialdemokratëve. Koalicioni për Ardhmërinë Evropiane njofton krijimin e Ministrisë së Rinisë si një një institucion i veçantë që do të ketë buxhetin e vet dhe do ta vendosë çështjen rinore “në një nivel më të lartë serioziteti në vend”. “Futja e edukimit seksual gjithëpërfshirës në shkolla, nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve dhe zbatimi i politikave për zgjidhjen sistematike dhe të plotë të problemeve të të rinjve dhe hapjen e perspektivave të reja për të rinjtë, transportin publik të disponueshëm dhe të aksesueshëm. Ne ofrojmë një plan për banesa publike për të rinjtë deri në 29 vjeç dhe një Program me çmime të subvencionuara dhe të përballueshme për blerjen e shtëpisë së tyre për të rinjtë deri në 29 vjeç. Jetesa e pavarur e asistuar e personave me aftësi të kufizuara. Përfaqësimi i barabartë i grave në pozitat vendimmarrëse. Promovimi i çiklizmit si mjet transporti. Ne ofrojmë masa për qasje në arsim dhe trajnim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Punë cilësore në një treg konkurrues të punës. Të ardhurat minimale universale dhe zbatimi i Garancisë Evropiane për Fëmijët”, janë pjesë e masave të programit zgjedhor të LSDM-së për të rinjtë.

Nga ana tjetër, “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI në programin zgjedhor “Evropa 2030” është paraparë rubrika e veçantë “Rinia aktive dhe shoqëria e barabartë”, ku shprehen angazhimet për nxitjen e pjesëmarrjes së të rinjve, politikat për ngadalësimin e migrimit, promovimin e sporteve dhe kuponave sportive. “Pjesëmarrje në vendimmarrje, nxitja e sipërmarrjes tek të rinjtë, platformë digjitale për të rinjtë, promovimi i diversitetit kulturor dhe politika për promovimin e sportit, stimujt tatimorë për të mbështetur sportin, zhvillimi i artit, muzikës, teatrit, filmit dhe dizajnit modern, përfshirja në të gjitha proceset në shoqëri dhe në vendimmarrje, një politikë për të ngadalësuar migrimin dhe krijimin e mundësive për t’u kthyer në atdhe me një angazhim të veçantë ndaj të rinjve”, janë masat që ofron “Fronti Europian” për të rinjtë.

Edhe VMRO-DPMNE fokusohet te të rinjtë në pikën e fundit në rubrikën “Të drejtat dhe liritë”. VMRO-DPMNE thotë se ofron “një vizion të krijimit të kushteve të nevojshme për të rinjtë për të ndërtuar një të ardhme në shtëpi, duke i fuqizuar ata përmes edukimit dhe zhvillimit të aftësive, duke inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve dhe duke promovuar sipërmarrjen dhe inovacionin”.

Ndërkaq, koalicioni opozitar shqiptar “VLEN” në programin e tij elektoral “Plani 2030 Vlen” shpall kredi të favorshme për çiftet e reja, si dhe lirim nga taksat për bizneset që drejtohen nga të rinjtë. “Zonë e lirë ekonomike për të rinjtë në të cilën prioritet kryesor do të kenë sektorët ‘start-up’ dhe teknologjik. Kredi banimi me interes zero për çiftet e reja nën 35 vjeç. Personat nën moshën 30 vjeçare që hapin biznes në Maqedoni do të lirohen nga taksat e biznesit për tre vjet dhe nga taksat për bizneset e të rinjve. Për çdo fëmijë deri në 18 vjeç, familja do të përfitojë kompensim mujor prej 1.000 denarë, me mundësi vazhdimi deri në 25 vjet për fëmijët që vijojnë arsimin e lartë”, thuhet në programin e VLEN-it në sektorin e të rinjve.

Ndryshe, Blendi Hodai, student në Fakultetin Filozofik, aktivist civil dhe drejtor i Forumit për Ndryshime Arsimore, theksoi se shumica e programeve të partive politike për të rinjtë në këto zgjedhje janë përsëritje e premtimeve nga zgjedhjet e fundit, pra shkruajnë të njëjtin “copy-paste”, duke theksuar se janë vetëm në formë deklarative. “Shumica e masave që propozohen për të rinjtë janë vetëm në formë deklarative, pra nuk shpjegohet forma dhe mënyra se si do të zbatohen, pavarësisht se cila parti do të jetë në Qeverinë e ardhshme. E gjithë kjo vë në pikëpyetje qasjen e partive ndaj rinisë, nëse ato i shohin vetëm si një organ votues apo si një pjesë e rëndësishme e popullsisë që së pari duhet t’i sigurohet kushtet elementare të strehimit, arsimi cilësor dhe mundësitë e karrierës dhe më pas edhe pozicionin vendimarrës në institucione”, theksoi Hodai. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 6 Maj, 2024 19:24