“Rezoluta për Srebrenicën, ultimatum i Perëndimit për Beogradin”/ Ministri i Putinit shpërthen kundër Kosovës në KiE: Vendim i turpshëm

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 6 Maj, 2024 08:31

“Rezoluta për Srebrenicën, ultimatum i Perëndimit për Beogradin”/ Ministri i Putinit shpërthen kundër Kosovës në KiE: Vendim i turpshëm

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, si zakonisht ka propaganduar kundër Republikës së Kosovës. Ai në një intervistë ka përsëritur qëndrimin rus duke thënë se Kosova është “territor i paligjshëm”, dhe sipas tij vendimi në Asamblenë e Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës është i “turpshëm”.

“Për disa ditë, javë, edhe Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të vendosë për këtë çështje dhe nuk ka dyshim se do të marrin të njëjtin vendim. Aktivitetet e tyre në lidhje me Kosovën dhe Këshillin e Evropës tashmë po e arsyetojnë me faktin se në Kosovë ka progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit, në krijimin e një sistemi gjyqësor efikas. Por të gjithë e dinë se Kosova është një territor i paligjësisë”, tha Lavrov.

Kryediplomati rus më tej ka folur kundër rezolutës së OKB-së për Srebrenicën.

“Qëllimi për të shtypur serbët ende është duke vazhduar. Dhjetë vjet më parë, ata u përpoqën të miratonin një rezolutë të tillë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ne vendosëm veton ndaj saj. Është e pamundur të shpjegohet se si drejtohen evropianët në terma praktikë kur e shtyjnë këtë ide, përveç një arsyeje: serbët janë shumë kokëfortë. Serbët nuk i binden kërkesave për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, serbët nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, ata nuk duan që Kosova të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare”, tha Lavrov.

Ai pretendon se kjo është një lëvizje me të cilën Perëndimi i jep ultimatum Beogradit.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik portretizohet si personazhi negativ kryesor, i cili gjoja shkatërron marrëveshjen e Dejtonit, megjithëse ai dhe ekipi i tij janë të vetmit në Bosnje që luftojnë për parimet e Dejtonit”, tha kreu i diplomacisë ruse.

Rina Selimi
Botuar nga Rina Selimi 6 Maj, 2024 08:31