Sigurimi i makinave, të martën vendimi për pagesën

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 7 Maj, 2024 20:59

Sigurimi i makinave, të martën vendimi për pagesën

Kompanitë e sigurimeve do të vendosin të martën nëse do të rimbursojnë ata që kanë paguar për policat е sigurimit të automjeteve 15% më shtrenjtë për një javë sa ishte në fuqi vendimi për shtrenjtim. Sipas përllogaritjeve, nga 400.000 vetura, fuqia e të cilave kalon 44 kilovat, regjistrohen mesatarisht 10.000 vetura në javë, që do të thotë se kaq persona kanë paguar nga 840 deri në 1600 denarë më shumë për polica për auto përgjegjësi.

Pasi më 25 prill Agjencia për mbikëqyrje të Sigurimeve rriti çmimin për 15%, më 2 maj, qeveria ndryshoi tarifën dhe ktheu çmimet e vjetra, por qytetarët që kanë paguar tashmë i janë lënë vullnetit të kompanive të sigurimit të vendosin se çfarë do të bëjnë më pas.

“Përderisa një vendim është anuluar, me logjikë në atë periudhë të ndërmjetme, patjetër që duhet të gjendet një zgjidhje përkatëse që qytetarët ose institucionet të dëmshpërblehen. Duhet të ketë një përcaktim të qartë se cila masë është në fuqi dhe kjo për fat të keq është edhe një dëshmi e mos organizimit të shtetit”.

“Shumë shpesh kemi vendime të përshpejtuara, pa parashikime të qarta. Ne shumë herë iu kemi tërhequr vërejtjen autoriteteve në këtë temë”, deklaroi Trajan Angelloski, Kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 7 Maj, 2024 20:59