A do kompensohen vozitësit!

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 9 Maj, 2024 19:18

A do kompensohen vozitësit!

Mbi 10 mijë qytetarë do të paguajnë polisa më të shtrenjta sigurimi për veturat si rrjedhojë e shtrenjtimit të përkohshëm të sigurimit të veturave prej datës 25 prill e këndej. Rimbursimi varet nga kompanitë e sigurimeve

Mbi 10 mijë qytetarë do të paguajnë polisa më të shtrenjta sigurimi për veturat. Kjo si pasojë e shtrenjtimit të përkohshëm të sigurimit të veturave prej datës 25 prill e këndej. Vendimi për rritjen me 15 për qind të policës së sigurimit të detyrueshëm është marrë nga kompanitë e sigurimit mbi 10 ditë më parë me arsyetimin se ka më shumë se 10 vjet që nuk ka ndryshuar dhe kostot e tyre janë rritur. Institucionet kthyen çmimet e vjetra , mirëpo derisa ato të hyjnë në fuqi mbeten çmimet më të shtrenjta. Mbetet që kompanitë e sigurimeve të vendosin nëse do të ketë rimbursim të mjeteve.

Edhe pse propozimi për kthimin e çmimeve të vjetra të sigurimit për regjistrimin e automjeteve kaloi javën e kaluar në Qeveri, deri në publikimin zyrtar në gazetën zyrtare do të mbetet në fuqi tarifa e re, çmimet e së cilës janë nga 840 deri në gati 1600 denarë më të larta, varësisht nga fuqia e veturave. Në fund të muajit prill, Byroja Kombëtare, me kërkesë të kompanive të sigurimit, vendosi rritjen me 15 për qind të çmimeve për autopërgjegjësinë. Pas kësaj, ka reaguar Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, të cilët kanë thënë se rritja e çmimit është e pajustifikuar, në një kohë kur kompanitë kanë fitime solide.

Komisioni i Autopërgjegjësisë dha rekomandime për kthimin e çmimeve, të cilat ishin të papranueshme për kompanitë. Fjalën e fundit e kishte qeveria, e cila i ktheu çmimet në nivelin e 10 ditëve më parë.

Kryetari i Lidhjes së Odave Ekonomike, Trajan Angelloski, konsideron se duhet gjetur zgjidhje për kompensimin e qytetarëve apo institucioneve që kanë regjistruar veturat e tyre dhe kanë paguar 15 për qind më shtrenjtë sigurimin.

Angelloski thotë se duhet të përcaktohet qartë se cila masë është në fuqi dhe kjo, sipas tij, është edhe një dëshmi e çorganizimit të shoqërisë sonë. Siç bëjnë të ditur grupi i sigurimeve, kompanitë nuk janë të kënaqura me vendimin e 2 majit të qeverisë për kthimin e çmimeve të vjetra, i cili, siç thonë ata, është marrë në mënyrë të njëanshme. Lëvizja me të cilën kompanitë e sigurimit rritën çmimet e sigurimit të detyrueshëm të përgjegjësisë automobilistike është krejtësisht e pajustifikuar dhe e pabazë, tha Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve.

Sipas rregullatorit të tregut të sigurimeve, rritja e çmimit të sigurimeve nuk është në funksion të forcimit të mbrojtjes së të siguruarve.

Përkundrazi, kjo rritje çmimi është vetëm dhe ekskluzivisht në funksion të mbulimit të kostove operacionale të kompanive të sigurimit, njofton Agjencia. Vetëm vitin e kaluar ata mblodhën 65 milionë nga sigurimi i detyrueshëm i makinës. Nga këto, 11.5 milionë euro iu dhanë ndërmjetësve, pra brokerëve që shesin policat për ta. Komisionet për to variojnë nga 10 deri në 35 për qind të vlerës së policës.

Odat e biznesit nga ana tjetër kanë mbrojtur interesat e anëtareve të tyre. Oda Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO) qëndron në mbështetje të kompanive të sigurimit, disa prej të cilave janë anëtare dhe investime të konsiderueshme të huaja në vend, dhe shpreh shqetësimin, siç theksojnë ata, për vendimin e nxituar për kufizimin e pjesës për bartje e aktivitetit, pra kostot dhe vendoset kontrolli 100 për qind i shtetit mbi çmimet e përgjegjësisë së automjeteve.

Vendimi i fundit i Komisionit të Auto Përgjegjësisë pranë Ministrisë së Financave për të rikthyer çmimet e paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin financiar të sektorit të sigurimeve, duke vendosur një kufizim rregullator në politikat e çmimeve në tërësi, gjë që bie ndesh me rekomandimet e Komisionit Evropian në raportin për ecurinë e vendit tonë, i cili mund të vërë në dyshim seriozisht kujdesin e të siguruarve, thonë nga Oda ekonomike e Maqedonisë. Grupacioni i sigurimeve pranë kësaj ode, thekson se në bazë të Ligjit për sigurimin e detyrueshëm në komunikacion, neni 46, Komisioni i Autopërgjegjësisë ka për obligim që një herë në vit të analizojë gjendjen aktuale dhe t’i paraqesë Qeverisë propozimin për përcaktimin e tarifave minimale dhe maksimale të primeve teknike për sigurimi i përgjegjësisë së automobilave.

Megjithatë, pavarësisht dispozitave të sipërpërmendura, Komisioni nuk mblidhet një herë në vit dhe norma minimale dhe maksimale e parimit teknik për sigurimin e përgjegjësisë automobilistike nuk ka ndryshuar për 15 vjet, që nga viti 2008, kur u ul me 30 për qind. Vendimi i fundit për përcaktimin e shkallës minimale dhe maksimale të premisë teknike për sigurimin nga autopërgjegjësia është marrë më 09.09.2008 nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Kjo nënkupton se çmimet për sigurimin e përgjegjësisë automobilistike nuk kanë ndryshuar që nga viti 2008, apo 15 vite të tëra, gjatë të cilave kemi parë një rritje të përgjithshme të çmimeve prej 61.5 për qind. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 9 Maj, 2024 19:18