Zbulohet mozaiku nën rrënojat e shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, i përket shekullit të I dhe të II të Erës Sonë

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 9 Maj, 2024 21:13

Zbulohet mozaiku nën rrënojat e shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, i përket shekullit të I dhe të II të Erës Sonë

Nëntoka e Durrësit ruan brenda saj vlera të jashtëzakonshme të qytetërimit dhe urbanistikës antike, të cilat vijojnë të dalin në dritë pas çdo gërmimi.

Një tjetër mozaik është zbuluar këtë të enjte në vendbanimin antik të gjetur gjatë punimeve për ndërtimin e gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar të Durrësit, ku vjeshtën e kaluar u zbulua një tjetër mozaik i rrallë floreal që i përket shek. I-II të erës sonë.

“Flitet për një mozaik i cili është ndërtuar në pishinën e kësaj rezidence. Pishina është ndërtuar me afreske shumëngjyrëshe, shumë interesante dhe të pazbuluara deri tani në territorin tonë dhe mozaiku që ka një sipërfaqe në ngjyrë qumështi të stolisur me katrore në ngjyrë blu. Është vetëm fillimi. Presim që e gjithë pishina me mozaikun në të të jetë e ruajtur mirë. Është në afërsi të mozaikut tjetër. Mesa duket kjo ka qenë një zonë e banuar dhe ndërtuar me mjaft cilësi, që ka pas luksin e kohës duke nisur nga fundi I shek.I p.e.s dhe duke ardhur deri në shek.IV të e.s.”

Prej 10 ditësh në kantierin e shkollës “Gjergj Kastrioti”, ku punimet janë pezulluar për t’i lënë vend gërmimeve arkeologjike, kanë dalë në dritë të tjera struktura banimi që pasqyrojnë qartazi zhvillimin ekonomiko-social dhe kulturor të kohës. Gërrmimet janë ndarë në disa sektorë për të mbuluar një sipërfaqe kërkimi prej 1200 metra katrorë.

“Kemi të bëjmë me një konstruksion, ose një ndërtim arkitektonik që deri tani rezulton i ndërtuar në dy kate. Për fat kati i parë ruhet mirë, ndërsa kati i dytë ka një shembje që vjen sipas nesh si rezultat e tërmetit të shek. IV që ka lënë gjurmë në të gjithë sipërfaqen e këtij vendbanimi”-shprehet Luan Përzhita, arkeolog.

Për arkeologët zbulimi i mozaikëve ka vështirësi specifike për shkak të ekspertizës së thellë që kërkon, por dhe për shkak të kushteve në të cilat gjenden.

“Është një mozaik që ndodhet aty prej 2 mijë vitesh dhe sapo zbulohet ka shumë probleme që lidhen me ambientin, temperaturat, po dhe vetë mozaiku gjatë këtyre mijëravjeçarëve ka krijuar njëfarë smërçi që do të pastrohet e sistemohet për t’u dukur si ka qenë dhe si është ndërtuar.

Zbulimi i këtyre mozaikëve dhe strukturave të tjera paraqet interes të lartë të për trashëgiminë tonë kulturore dhe shkallën e lartë të qytetërimit ilir, ndërsa nuk është përcaktuar ende fati i ndërtesës së gjimnazit të sotëm. Nxënës e mësues të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës prej 4 vitesh e zhvillojnë procesin mësimor në turnin e pasdites, në një shkollë pritëse 9-vjeçare.

Top Channel

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 9 Maj, 2024 21:13