Bullgaria dhe Greqia në pritje të inaugurimit të Siljanovskës

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 10 Maj, 2024 19:07

Bullgaria dhe Greqia në pritje të inaugurimit të Siljanovskës

Autoritetet zyrtare në Greqi dhe Bullgari presin të shohin se çfarë qëndrimi do të mbajë presidentja e re Gordana Siljanovska Davkova dhe Qeveria e re në lidhje me Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Për momentin, në të dy vendet fqinje, vetëm partitë kryesore opozitare janë të zëshme për këtë çështje. Kryetari i Lëvizjes bullgare për të drejta dhe liri, Deljan Peevski, ka reaguar ndaj intervistës së djeshme të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili ka paralajmëruar se do të kërkojë aneks të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë. Mickoski, duke folur për ndryshimet kushtetuese, tha se nëse qeveria aktuale në Sofje nuk pranon aneks të Marrëveshjes, Shkupi do të presë ardhjen e një garniture tjetër qeverisës në Bullgari që do të ishte më e arsyeshme.

“Fjalët e kreut të partisë nga shteti ynë fqinj se do të presë “kryeministër më të arsyeshëm” janë absolutisht të papranueshme dhe të patolerueshme. Nuk ka asnjë justifikim që Maqedonia e Veriut të devijojë nga rruga e saj euroatlantike. Dua t’i drejtohem z. Mickoskit – nuk do të ketë kryeministër bullgar që do të shkojë kundër interesave të Bullgarisë. Nga ju pritet ta përmbushni në mënyrë korrekte Marrëveshjen e nënshkruar me Bullgarinë”, deklaroi Deljan Peevski – kryetar i DPS.

Jozyrtarisht, grekët do të marrin qëndrim pas inaugurimit të Siljanovska Davkovës, e cila duhet të japë deklaratë solemne në Kuvend, me çka edhe zyrtarisht do ta merr funksionin. Ajo në fushatë deklaroi se nuk do të përdorë termin “e Veriut” dhe se është e drejta e saj personale për vetëvendosje. Sot, partia kryesore opozitare greke Siriza i bëri thirrje kryeministrit Kyriakos Micotakis të reagojë ashpër ndaj çdo shkeljeje të marrëveshjes.

“Qeveria duhet të heqë dorë nga ky qëndrim pasiv dhe menjëherë, bazuar në dispozitat e Marrëveshjes dhe duke mobilizuar të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion në nivel ndërkombëtar dhe evropian, me rigorozitet, të përballet me çdo përdorim termash apo veprimi nga presidentja e re dhe anëtarët e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut që shkel Marrëveshjen e Prespës – veçanërisht emrin kushtetues. Kujtojmë se këto mjete përfshijnë edhe ngrirjen e perspektivës integruese të vendit fqinj”, thonë nga SIRIZA.

Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë dhe Marrëveshja e Prespës janë përmendur në pakon e dokumenteve të propozimit francez dhe rrjedhimisht Brukseli pret që vendi t’i zbatojë ato në mënyrë të përpiktë. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 10 Maj, 2024 19:07