Gazeta KOHA: Ky është skenari i VMRO-së dhe i VLEN-it për t’ia marrë dy deputetë Frontit Europian

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 10 Maj, 2024 22:54

Gazeta KOHA: Ky është skenari i VMRO-së dhe i VLEN-it për t’ia marrë dy deputetë Frontit Europian

VMRO-DPMNE së bashku me VLEN-in kanë vendosur t’ia marrin dy deputetë Frontit Europian, një në Zonën 6 zgjedhore dhe një në Zonën 5 zgjedhore. Katër orë para skadimit të afatit, VMRO ka dorëzuar ankesë për një vendvotim në Manastir, ndërsa pretendon se ka vota jashtëligjore, ndërsa VLEN ka dorëzuar ankesë për një vendvotim në një fshat të Tetovës, duke pretenduar se bëhet fjalë për vota më shumë sesa janë regjistruar në procesverbal.

Siç merr vesh gazeta KOHA, koalicioni VLEN shpreson që ta rrit numrin e deputetëve në Zonën 6, pasi nëse arrihen mbi 150 vota në vendvotimin për të cilën është ankuar, do të bie deputeti i nëntë i Frontit Europian dhe VLEN nga shtatë deputetë rritet në tetë, aq sa do mbetet Fronti Europian në Zonën 6 zgjedhore, shkruan gazeta KOHA.

Skenar i njëjtë është edhe në Zonën e 5 zgjedhore. VMRO është ankuar për një vendvotim në Manastir, edhe pse në të gjitha vendvotimet ka fituar bindshëm. Megjithatë, nëse VMRO apo LSDM e rrit numrin e vota prej rreth 70 votave në vendvotimin për të cilën është dorëzuar ankesë, do të bie deputeti i katërt i BDI-së, ndërsa LSDM e rrit numrin e mandateve nga 3 në 4, ndërsa BDI nga 4 bie në 3.

Është interesant se i katërti me radhë i LSDM-së është kandidat i Liberaldemokratëve të Maqedonisë, një kandidat mik shumë i afërt i Mickoskit. Kjo është edhe arsyeja që Mickoski mbrëmë përmendi në Kanal 5 se VMRO para 28 majit do të ketë 61 deputetë. Ai ka aluduar në kalimin e tre deputetëve të partisë LiberalDemokrate të Maqedonisë nga kolaicioni me LSDM në pushtet me VMRO-në.

Burime mirë të informuara të gazetës KOHA thonë se kjo strategji e përbashkët të VMRO-së dhe VLEN-it po ndihmohet edhe nga LSDM, anëtarët e së cilës do ti mbështesin ankesat në KSHZ për të rivotuar në dy vendotime, një në Manastir dhe një në Tetovë, edhe pse VLEN-i ka shënuar fitore në këtë vendvotim. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 10 Maj, 2024 22:54