Spitali modular/ Familjarët e viktimave mirëpresin vendimin për kthimin e lëndës në rigjykim

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 13 Maj, 2024 19:21

Spitali modular/ Familjarët e viktimave mirëpresin vendimin për kthimin e lëndës në rigjykim

Familjarët e viktimave të djegur në spitalin modular, mirëpresin vendimin për kthimin e lëndës në rigjykim, shkruan Alsat.

Ata shpresojnë se më në fund mund të dalë në pah e vërteta për këtë rast. Mumin Ismaili, i cili humbi familjarin e tij në këtë tragjedi, thotë se, përveç rigjykimit të lëndës, e njëjta duhet të zgjerohet edhe me të tjerë që sipas tij, janë fajtor për tragjedinë e modularit.

“Mendojmë se drejtësisë iu hap dritë jeshile për të dalë në shesh. Dua të theksoj se në këtë vend u akuzuan tre persona, por kam theksuar se ka edhe njerëz të tjerë që nuk janë në bankat e të akuzuarve, por me rastin e kthimit nga Apeli në Gostivar besoj që do ketë drejtësi. Unë si Mumin e kam theksuar në seanca, ku është Ministri zëvendës ministri i shëndetësisë firma BRAKO, apo ata që instaluan rrymën. Një porosi edhe për gjykatën e Tetovës, kujdes mos bëhet sikur radhën e parë që të gabohet si ndodhi herën e parë dhe ne vuajmë. Një herë e për gjithnjë le të del e vërteta dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar”, tha Mumin Ismaili, familjar.

“E pritëm shumë mirë, duam ta zbardhin rastin dhe ta mësojmë se çka është e vërteta/, besojmë që tani mund të kemi drejtësi.  Gjykata të bëj kujdes të del çka është e vërteta. Duhet të ketë përgjegjësi edhe spitali jo vetëm ndërto shkel e shko dhe fut njerëz”, u shpreh Qanie Selmani, familjare.

Për dallim prej familjarëve, banorët e Tetovës nuk kanë besim në drejtësi.

“Ku do ketë drejtësi, haj do e shohim a do ketë drejtësi apo jo. Shpresojmë të ketë drejtësi por se di, edhe kjo gjatë do shkoj me drejtësinë. Kushdo që do vij njëjtë do jetë, mua nuk më besohet më falni”, tha një banor.

“Nuk e di shoku, duhet të ketë por se di sinqerisht nuk e di”, u shpreh një banor tjetër.

“Nuk e di për besë, në këtë shtet s`ma merr mendja, sma merr mendja”, theksoi një banor.

“Nëse bëjnë ndonjë ndryshim, po, ndryshe nuk besoj, tani për tani jo nuk besoj”, tha një banor.

“Lënda zyrtarisht në gjykatën e Tetovës ka arritur të premten, ndërsa trupi i gjykatësve të Gjykatës së Apelit, kanë theksuar se gjykata e shkallës së parë ka lënë pa përgjigje dhe se aktgjykimi i tyre nuk ishte i qartë dhe i plotë sa i përket korrektësisë dhe ligjshmërisë së procedurës penale”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.

Lënda do të shkojë në rigjykim pasi Gjykata e Apelit në Gostivar, e ka shfuqizuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë me arsyetimin se gjatë gjykimit në Gjykatën e Tetovës, nuk është vepruar me kujdesin e duhur që të që të mund të përcaktohen me siguri të gjitha faktet juridike relevante.

Gjithashtu, Apeli shton se gjatë gjykimit është shkelur neni 408 i Ligjit për Procedurë Penale, pasi, Gjykata e Tetovës në aktgjykim nuk ka dhënë sqarim për faktet, refuzimin e propozimeve nga palët, zgjidhjes së çështjeve juridike, por edhe për caktimin e dënimit.

Ndryshe, më 8 shtator të vitit 2021, nga djegia e spitalit modular në Tetovë, humbën jetët 14 persona, 12 pacientë dhe 2 familjarë të pacientëve. Gjatë aktgjykimit të Parë, ish drejtorët Besimi dhe Etemi u dënuan me nga 1 vjet e gjysmë burg me kusht, ndërkaq mjeku Vuçevski u lirua nga akuza. Spitalit, iu shqiptua gjobë prej 1 milionë denarësh./ Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 13 Maj, 2024 19:21