Joshja

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 17 Maj, 2024 20:29

Joshja

Sot, ekzorcizmi është edhe më i dhunshëm dhe më sistematik. Ne po futemi në epokën e zgjidhjeve finale; për shembull, të revolucionit seksual, të prodhimit dhe menaxhimit të të gjithave dëshirave liminale dhe subliminale, mikro-procesimit të dëshirës, me gruan që e prodhon veten si grua, dhe si seks, seksi duke qenë avatari i fundit. Që i jep fund joshjes

Nga Jean BaudrillardSeduction

Një fat i paracaktuar rëndon mbi joshjen. Joshja religjioze ishte strategji e djallit – qoftë në formën e magjisë së zezë, qoftë në formë të dashurisë. Ishte gjithmonë joshje e ligë – ose joshje nga bota. Është kryekëput dredhi e botës. Mallkimi ndaj saj s’është ndalur kurrë në etikë dhe filozofi, dhe sot mirëmbahet nga psikanaliza dhe “çlirimi i dëshirave”. Marrë parasysh promovimin e sotëm që i bëhet seksit, të ligës, dhe gjërave perverse, së bashku me festimin e gjithçkaje që në të kaluarën ishte e mallkuar, mund të duket paradoksale që joshja ka mbetur në hije – dhe është rikthyer tashmë përjetësisht.

Shekulli i tetëmbëdhjetë ende fliste për joshjen. E flisnin me trimëri dhe nder, ishte shqetësimi qendror i sferës aristokratike. Revolucioni borgjez i dha fund këtij shqetësimi (por edhe të tjerët – çdo revolucion, në fillet e tij, synon që, pakthyeshëm, ta zhdukë njëherë e përgjithmonë joshjen e dukjeve). Epoka borgjeze veten ia dedikoi prodhimit dhe natyrës, gjërave të huaja dhe shprehimisht fatale për joshjen. Dhe pasi që seksualiteti ngritet, siç vëren Foucalt, prej një procesi të prodhimit (të diskursit, të folurit ose dëshirës), nuk është e befasishme që joshjes i është vënë vello mbi kokë. Ne sot jetojmë në një kohë në të cilën promovohet natyra, qoftë natyra e mirë e shpirtit të së kaluarës, ose natyra e mirë materiale e gjësendeve, ose edhe natyra e mirë psikike e dëshirave. Natyra i shkon pas realizimit të saj përmes metamorfozës të represionit, dhe përmes çlirimit të të gjithë energjive, qofshin ata psikike, shoqërore ose materiale.

Sidoqoftë, joshja, kurrë nuk futet në rendin natyror të gjërave, por në rendin e mashtrimit – kurrë në rendin e energjisë, por në atë të shenjave dhe ritualeve. Për këtë arsye të gjitha sistemet e mëdha të prodhimit dhe interpretimit kurrë nuk kanë reshtur të përjashtojnë joshjen – për fatin e mirë të tyre – prej fushës së tyre konceptuale. Sepse joshja i ndjekë ato nga jashtë, dhe prej thellësisë së gjendjes së brendshme të braktisjses, duke i kërcënuar me shembje. Qëndron në pritje të shembjes së çfarëdo rendi hyjnor, përfshirë rendet e prodhimit dhe dëshirës. Të gjitha ortodoksive joshja iu shfaqet si djallëzore dhe mashtruese, si magji e zezë që do të devijojë të gjitha të vërtetat, një lartësim i përdorimit të ligë të shënjuesve, një konspiraci shenjash. Secili diskurs kërcënohet nga kjo kthyeshmëri e papritur, e përthithur brenda shenjave të veta pa kurrëfarë gjurmësh kuptimi. Kjo është arsye pse të gjitha disiplinat, të cilat mbështeten në dije aksiomatike për koherencën dhe finalitetin e diskursit të tyre, duhet që me çdo kusht ta ekzorcojnë atë. Ky është vendi ku joshja dhe feminiteti janë të bashkëthemeluara. Maskuliniteti gjithmonë ka qenë i përndjekur nga kjo kthyeshmëri e papritur brenda feminitetit. Joshja dhe feminiteti janë të pandashme si aspekte të kthyer mbrapa të seksit, kuptimit, dhe pushtetit.

Sot, ekzorcizmi është edhe më i dhunshëm dhe më sistematik. Ne po futemi në epokën e zgjidhjeve finale; për shembull, të revolucionit seksual, të prodhimit dhe menaxhimit të të gjithave dëshirave liminale dhe subliminale, mikro-procesimit të dëshirës, me gruan që e prodhon veten si grua, dhe si seks, seksi duke qenë avatari i fundit. Që i jep fund joshjes.

Ose, ndryshe, triumfi i joshjes së butë, një feminizim dhe erotizim i bardhë e i shpërndarë i të gjitha relatiocioneve të shterrura të universit social

Ose, ndryshe, asnjëra nga të lartpërmendurave. Sepse asgjë s’mund të jetë më e madhe se joshje në vetvete, as rendi që synon ta shkatërrojë.

Përktheu në shqip: Xhezair Dashi

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 17 Maj, 2024 20:29