Forumi i Filantropisë: Kompanitë të kontribuojnë në të mirë të shoqërisë

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:04

Forumi i Filantropisë: Kompanitë të kontribuojnë në të mirë të shoqërisë

Në Shkup sot u mbajt “Forumi i Filantropisë 2024” i cili është pjesë e projektit të USAID-it “Partneritete për donacione” i zbatuar nga organizata “Connect” në partneritet me Qendrën Europiane për të Drejtën Jofitimprurëse, Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Indigo dhe Oda Amerikane e Tregtisë në RMV. Situata me filantropinë dhe domosdoshmëria që ajo të jetë një mekanizëm për zhvillim të qëndrueshëm, duke ofruar burime, ekspertizë dhe zgjidhje inovative për përballimin e sfidave socio-ekonomike, ishin në fokus të Forumit.

Drejtori ekzekutiv i OEMVP-së Durim Zekiri tha se ky event shërben për t’i stimuluar kompanitë të cilat nuk janë pjesë e këtyre projekteve, të përfshihen dhe të kontribojnë në të mirën e shoqërisë.

DURIM ZEKIRI, DREJTOR I OEMVP-SË

“Ky forum sot i cili organizohet është duke i shërbyer një kauze e cila është një e mirë e përgjithshme, duke pasur parasysh që kompanitë tona sidomos kompanitë anëtare të OEMVP-së janë kompani me përgjegjësi shoqërore të lartë dhe kjo duhet disi të dokumentohet, duke pasur parasysh se pak a shumë filantropia dhe aktiviteti i tyre filantrop vjen si rrjedhojë dhe si pasojë e bindjeve të tyre por edhe edukates dhe kulturës të cilën e kanë kultivuar përgjatë brezave”.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës “Connect”Nikica Kusinikova tha se shoqëria jonë ka një potencial të madh për filantropi.

NIKICA KUSINIKOVA, DREJTORESHË E ORGANIZATËS “CONNECT”

“Sot në forumin e filantropisë kemi diskutuar se si është gjendja e filantropisë në rajon, se si ajo mund të jetë nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm në rajon sepse çdoklush nga ne qoftë si qytetar apo kompani ka mundësi që kur bënë donacione , ti investojë në komunitet, me organizatat, palët e interesuara, qytetarë të tjerë dhe kompani të tjera dhe të bënë ndryshime pozitive në shoqëri. Në fakt, filantropia na fuqizon të gjithëve që të mos presim që dikush tjetër të zgjidhë problemet tona, por të jemi krijues të së nesërmes tonë më të mirë së bashku”.

Në forumin ku morën pjesë pjesëmarrës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Singapori, Serbia dhe Kroacia dhe mbi 80 pjesëmarrës nga institucionet, bizneset, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat, u theksua se përpjekjet filantropike luajnë një rol kyç në avancimin dhe ndërtimin e një bote më të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë./SHENJA/

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:04