Shpenzimet marramendëse për maturën

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:10

Shpenzimet marramendëse për maturën

Edhe pse jemi në një kohë krize ekonomike, prindërit e maturantëve edhe këtë vit bënë harxhime të mëdha për të organizuar darkat nëpër sallone ahengjesh. Ndërkaq, prindi i dy maturanteve nga Kumanova tha për gazetën KOHA se vetëm për këtë mbrëmje janë bërë mbi 500 euro harxhime për dy vajzat e tij

Muaji maj është sezoni i mbrëmjeve të maturës. Të veshur, të krehur e të rregulluar deri në detaje ata vendosin të duken si yjet kur parakalojnë në tepihun e kuq. Mirëpo, e gjithë kjo po e rëndon goxha xhepin e familjeve të tyre.

Edhe pse jemi në një kohë krize ekonomike, prindërit e maturantëve edhe këtë vit bënë harxhime të mëdha për të organizuar darkat nëpër sallone ahengjesh. Ndërkaq, prindi i dy maturanteve nga Kumanova tha për gazetën KOHA se vetëm për këtë mbrëmje janë bërë mbi 500 euro harxhime për dy vajzat e tij.  “Duke parë çmimet gjithandej, ishin të pritshme harxhimet mbi 500 euro. Megjithatë, nuk mund ti ndaj nga shokët dhe shoqet e gjeneratës. Ne shkuam në Kosovë për të blerë, këtu çmimet janë shumë të larta. Edhe ashtu duhet të ndajmë diçka edhe për studimet e tyre. Ne duhet të kontribuojmë për arsimin e tyre, pavarësisht të ardhurave”, tha Ilmi Shabedini, prind i dy maturanteve nga Kumanova.

Nga ana tjetër, pronarët e salloneve që mbahen mbrëmjet e maturës janë të kënaqur nga përfitimet. E leverdi në këtë periudhë po kanë edhe rrobaqepëset. Pasi që vajzat kanë kërkesa më të mëdha në dukjen e tyre, sigurisht edhe harxhimet janë të mëdha. Rrobaqepëset thonë se maturantet vijnë me kërkesa për fustane që ua kanë parë në trup yjeve të Hollivudit, edhe atë fustane duke nisur nga 100 euro. Për ta plotësuar dukjen vajzave u duhet edhe grim, prandaj sallonet e grimereve janë të stërmbushura. Edhe në këtë pjesë preferencë e maturanteve janë brendet botërore.

Ndërkohë, as djemtë nuk mbeten prapa vajzave kur flitet për shpenzimet, dukjet e rrobat. Një tentim për tu dukur ndryshe e bëjnë edhe djemtë. Madje sipas shitësve në dyqanet e kostumeve të meshkujve ndonjëherë ata kanë kërkesa të parealizuara.

Maturantët, Fitimi dhe Ubejdi duke qenë që planet i kanë për në perëndim, ‘shpenzimet e maturës ja vlejnë t’i bëjnë’, pasi që siç u shprehën ata për gazetën KOHA “një herë bëhemi maturant dhe kemi dëshirë të dukemi bukur”. “Po, familjarët kanë bërë shumë shpenzime. Mirëpo, njëherë bëhemi maturant. Besoj që ja vlen. Ne së bashku do ikim për perëndim, nuk do kemi më mbrëmje të tilla, vetëm punë. Madje, nuk shkuam diku jashtë Shkupit, këtu i blemë të gjitha. Më shumë se 200 euro nuk na kushtoi”, thanë ata.

Ndër të tjera, siç duket dukuria në fjalë është prezente ndër vite, por tani kur pritej se kriza ekonomike do të ndal hovin e gjeneratës së sotme të maturantëve ajo nuk ndodhi. E si duket shumica prej tyre më shumë brengosen për mbrëmjen e maturës sesa për suksesin e tyre dhe asaj se çka do ti prijë pas. (koha.mk)

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 22 Maj, 2024 19:10