Grupi hulumtues konfirmon fundosjen e anijes ruse

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Maj, 2024 08:59 Përditësuar

Grupi hulumtues konfirmon fundosjen e anijes ruse

Grupi hulumtues Ekipi i Inteligjencës së Konflikteve (CIT) konfirmoi më 23 maj se një raketë ukrainase e goditi para katër ditëve një anije ruse për bartjen e raketave në portin e Sevastopolit.

Anija Cyclone i takonte flotës detare të Rusisë në Detin e Zi, sipas CIT.

CIT tha se, pasi i analizoi fotografitë e një anije të fundosur, erdhi në përfundim se anija ishte një Cyclone për bartjen e raketave. Kjo anije i ishte bashkuar flotës ruse gjashtë muaj më parë.
Rusia nuk e ka konfirmuar humbjen e anijes dhe nuk ka të dhëna publike për viktima të mundshme në mesin e ekuipazhit të anijes.

Inteligjenca e Britanisë së Madhe ka thënë se anija ruse “sipas të gjitha gjasave” u fundos nga një sulm ukrainas në Sevastopol, në Krimenë e uzurpuar, më 19 maj.

Sulmi u krye me gjasë me dronë dhe me raketa ATACMS, sipas Inteligjencës britanike. Anija Cyclone ishte njëra prej katër anijeve ruse të klasës Karakurt. Ajo ishte e pajisur me raketa lundruese, të cilat janë përdorur kundër Ukrainës.

Inteligjenca britanike theksoi se, derisa ka pak mundësi ta ndryshojë ndikimin e marinës ruse ndaj operacioneve ukrainase, sulmi “megjithatë thekson rrezikun e vazhdueshëm me të cilin forcat ruse po përballen gjatë veprimtarisë së tyre në Krimea dhe në rajonin e Detit të Zi, si dhe suksesin e vazhdueshëm të Ukrainës kur kryen sulme të koordinuara”.

Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Rusia i ka humbur 26 anije dhe varka, dhe një nëndetëse prej se e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Moska nuk i komenton humbjet e veta.

Flaka
Botuar nga Flaka 24 Maj, 2024 08:59 Përditësuar