Tuneli Tetovë-Prizren e pret përbërjen e re të Kuvendit

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 24 Maj, 2024 19:25

Tuneli Tetovë-Prizren e pret përbërjen e re të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen e nënshkruar me Maqedoninë e Veriut , e cila parashikon bashkëfinancimin e tunelit për rrugën Tetovë Prizren.

“Tetova më afër me Prizrenin dhe Kosovën. Kuvendi i Kosovës me 82 vota për, miratoi Projektligjin nr.08/L-293 për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë”, deklaroi Liburn Aliu, ministër i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Nga ana tjetër, në Maqedoninë e Veriut, marrëveshja është miratuar në qeveri, por në Kuvend pritet që të ratifikohet nga përbërja e re.

Afrim Gashi nga koalicioni VLEN, në interviste për Alsat tha se ky projekt, do të jetë në programin e ardhshëm qeveritar.

“Ne, pjesën më të madhe të negociatave e kemi zhvilluar pikërisht për këto projekte. Domethënë, për pjesën programore, për shtyllat kryesore të programeve tona. Dhe pastaj edhe në projekte konkrete, siç janë rruga Shkup-Bllacë, rruga Tetovë-Prizren, Korridori 8. Pra të gjitha këto do të jenë të inkorporuara në projektet dhe programin e Qeverisë? Po. Do të bëjmë çmos që edhe të futen, por edhe të implementohen”, tha Afrim Gashi, VLEN.

Alsat, disa herë brenda javës ka kërkuar qëndrim në lidhje me procedurat vijuese nga Ndërmarrja për Rrugë Shtetërore, si bartëse e projektit, por prej atje pa përgjigje.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar, palët pajtohen që tuneli i cili duhet t’i lidh dyja shtetet do të realizohet me bashkëfinancim. Konkretisht, secili shtet do të paguaj për gjatësinë e tunelit në territorin e saj. Afati për finalizimin e dokumenteve është deri në mes të vitit 2026.

Idenë për rrugën Prizren Tetovë e kishte prezantuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, që në fushatën e zgjedhjeve në Kosovë e së fundmi edhe në vizitën e tij që i bëri malësisë së Tetovës 9 muaj më parë. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 24 Maj, 2024 19:25