Kush është Afrim Gashi që do të jetë kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut 

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 27 Maj, 2024 22:19

Kush është Afrim Gashi që do të jetë kryetari i kuvendit të Maqedonisë së Veriut 

Ish kryetari i Alternativës, Afrim Gashi gjatë ditës së nesërme pritet të zgjidhet kryetar i kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Por kush është Afrim Gashi kryetari i dyrë shqiptarë i kuvendit të Maqedonisë së Veriut?

Afrim Gashi është i lindur më 9 nëntor të vitit 1977 në Shkup.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, duke bërë betejë për hapjen e paraleles së mjekësisë edhe në Shkup.

Gjatë shkollës së mesme është marrë edhe me muzikë, ndërsa bashkë me grupin e tij kanë marrë pjesë edhe nëpër festivale të ndryshme.

Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës e mbaroi në vitin 2007, ndërsa studimet pasuniversitare, në Institutin e Studimeve Juridike, Sociologjike dhe Politike në Shkup – në drejtimin e shkencave politike, i përfundoi më 2021.

Një kohë ka punuar në SHB “Logos-A” – Shkup, ndërsa në opinionin është i njohur edhe si publicist, duke qenë aktiv me shkrime publicistike në media të ndryshme shtypit dhe ato elektronike në gjuhën shqipe dhe maqedonase

Në vitin 2011 e ka themeluar revistën mbarëkombëtare “Shenja” dhe deri në vitin 2014 ka qenë kryeredaktor i saj.

Nga viti 2014 është aktiv edhe në politikë, duke e themeluar Lëvizjen Besa. Ai është nismëtar, projektues dhe ideator i saj, ndërsa një kohë e ka ushtruar edhe detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të saj.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitin 2016 është zgjedhur deputet, duke kandiduar në njësinë zgjedhore nr. 2.

Pas ndërhyrjeve së gjykatave shtetërore dhe pamundësisë së funksionimit politik, Afrim Gashi vendosi që më 9 mars 2019 emrin e partisë ta ribrendojë në “AlternAtivA” dhe aktualisht është kryetar i saj.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 përsëri është zgjedhur deputet.

Ai është i martuar dhe prind i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 27 Maj, 2024 22:19