Fronti Europian lëshoi seancën gjatë zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 19:05

Fronti Europian lëshoi seancën gjatë zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit

Me tu vërtetuar mandatet, deputetët e opozitës së re, ata të Frontit Europian të veshur me imunitet, e lëshuan sallën e Kuvendit ku nisi diskutimi për pikën e fundit të rendit të ditës, zgjedhja e Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit.

Deputetëve të cilët lëshuan sallën u priu kreu i integristëve Ali Ahmeti. Akoma nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar nga BDI apo Fronti Europian nëse bojkoti ka qenë vetëm për procedurën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, apo do të mbeten jashtë Kuvendit më gjatë. Kreu i BDI-së Ahmeti për nesër ka thirrur konferencë për media në Reçicë të vogël.

Përveç deputetëve të Frontit Europian që bojkotuan votimin e Gashit, edhe Levica e Apasievit e lëshoi sallën e Kuvendit në momentin që duhej të votohet për kryetarin Gashi.

Para fillimit të seancës në të hyrë në Kuvend Ali Ahmeti e Menduh Thaçi nuk deshën të prononcohen për media

I vetmi që u deklarua nga Fronti Evropian ishte Elmi Aziri, i cili nuk e precizoi se cili është qëndrimi i Frontit për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Jo, për momentin që po flasim jo, se nuk kemi qenë të informuar, është informacion që është liferu pak më vonë ditën e djeshme”, tha Elmi Aziri, Fronti Europian.

Para fillimit të seancës, deputeti i ASH-së Rijad Shaqiri kujtoi opozitën e tanishme, Frontin Europian se e kanë për obligim moral ta votojnë kandidatin e tyre, pasi në kohën kur ASH ishte në opozitë e kishin votuar  Talat Xhaferin për kryeparlamentar.

“Bëhet fjalë për një kandidat, besoj se ne si aleancë, asokohe kemi mbështetur kandidaturën e zotit Talat Xhaferi si kandidat për kryetar të Kuvendit. Konsideroj se edhe ata e kanë për obligim moral që të japin mbështetje ndaj zotit Afrim Gashi”, u shpreh Rijad Shaqiri, deputet nga VLEN.

Pas plot 16 viteve, BDI për herë të parë ndërroi pozicionin në Kuvend duke kaluar në vendet e rezervuara për opozitën. Ndërkohë në vend vendin kur deri dje ulej Ali Ahnmeti, sot është ulur kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 19:05