Janë gjetur 1408 pushka të vjetra gjatë punimeve ndërtimore në Manastir

Flaka
Botuar nga Flaka 28 Maj, 2024 13:02

Janë gjetur 1408 pushka të vjetra gjatë punimeve ndërtimore në Manastir

Gjatë punimeve ndërtimore pranë ish-garnizonit në Manastir, janë gjetur 1408 pushkë të vjetra, me origjinë nga luftërat e kaluara ballkanike, njoftoi paraditen e sotme Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Armët e gjetura, shton QKM, janë marrë dhe janë ruajtur në mënyrë të sigurt nga ekipet e zyrës së Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSh) Manastir.

Qendra u bën thirrje qytetarëve nëse rastësisht gjejnë armë, bomba, granata dhe pajisje të ngjashme ushtarake të pashpërthyera nga luftërat e kaluara, të mos i prekin apo lëvizin, por të lajmërojnë në numrin e vetëm të emergjencës 112 në QMK.

“Pas kësaj, përgjegjësit e Mjeteve të Pashpërthyera (MP) nga Sistemi për Menaxhimin e Krizave do t’i heqin dhe neutralizojnë ato në mënyrë të sigurt, sipas procedurave standarde të funksionimit”, njoftoi QMK.

Përndryshe, armë dhe municione të vjetra, me origjinë nga luftërat ballkanike, janë gjetur edhe javën e kaluar, po ashtu gjatë gërmimit në kazermën e vjetër në Manastir.

Në datat 22 dhe 23 maj, siç informohet nga QMK-ja e asaj kohe, janë gjetur dhe nxjerrë nga një piroteknik i DMSh-së, 413 pushkë, një predhë artilerie e kalibrit 95 mm dhe 30 fishekë.

Flaka
Botuar nga Flaka 28 Maj, 2024 13:02