Opozita bojkoton Komisionin Kundër Korrupsionit

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 21:56

Opozita bojkoton Komisionin Kundër Korrupsionit

Forca më e madhe politike e opozitës e drejtuar nga Sali Berisha nuk do të marrë pjesë në komisionin e posaçëm për luftën kundër korrupsionit.

Komisioni do të ngrihet në parlament ditën e enjte, por deputetët e Partisë Demokratike kanë vendosur ta bojkotojnë pasi sipas tyre nuk luftohet korrupsioni me komisione të drejtuara nga një mazhorance e korruptuar.

Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës nga dritarja e shtëpisë së tij nuk e përmendi komisionin, por e bëri të qartë se strategjia politike e demokratëve është beteja për rrëzimin e qeverisë Rama.

“Ky regjim që sundon me familjet mafioze të Rrajave, Ndokës, Bajrëve, Avdylëve, Troplinëve, Dervishëve, Xhafëve, Ballës, Çelëve, bandave të tjera. Ky regjim i pamëshirë sa vetë pamëshirësia u thotë shqiptarëve çdo ditë se në këtë vend, në këtë tokë ju nuk keni vend. Ju duhet t’ia mbathni sa më parë. Por a është Shqipëria një vend për t’u braktisur? Jo dhe jo. Shqipëria është një vend për të luftuar dhe vdekur 100 herë për të”, deklaroi Berisha.

Burime pranë demokrateve të drejtuar nga Lulzim Basha sqarojnë edhe ata nuk do të marrin pjesë në komisionin e posaçëm i cili sipas tyre synon të godasë SPAK-un.

Edhe Ilir Meta deklaroi sot se është kundër këtij komisioni, duke theksuar se detyra e opozitës është të denoncojë korrupsionin e të rrezojë qeverinë Rama

“Çdo rrugë tjetër është ortakëri me korrupsionin dhe hajdutët, është prostitucion politik, si dhe tradhti ndaj shqiptarëve në Shqipëri dhe gjithë atyre që kanë lënë këtë vend për shkak të krimeve që ka kryer “Rilindja” në vendin tonë”, tha Meta.

Duket se e gjithë opozita është e bashkuar në vendimin e saj për të bojkotuar komisionin që mazhoranca do të ngrejë për të luftuar korrupsionin dhe për të realizuar reformat që i duhen vendit per tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Por bojkoti i opozitës nuk pritet të ndryshojë gjë në qëndrimin e kryeministrit Edi Rama i cili një ditë më parë deklaroi se kjo reforma do të eci para.

Ajo që mbetet e paqartë është si arrin mazhoranca socialiste të realizojë një reformë që prek  ligjet që kërkojnë 84 vota për tu miratuar në një kohë që sot ne parlament numëron vetëm 78 mandate.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 21:56