Zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit i parapriu debat i ashpër mes Levicës dhe VMRO DPMNE-së

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 19:06

Zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit i parapriu debat i ashpër mes Levicës dhe VMRO DPMNE-së

Zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit i parapriu debat i ashpër mes Levicës dhe VMRO DPMNE-së. Apasiev tha se po vazhdon shqiptarizimi dhe kosovarizimi i Institucioneve.

“Gjithçka që BDI e ka fituar në mandatin paraprak, tani vetëm do të jetë e mbindërtuar me një platforma kosovare, të cilën e paraqet koalicioni VLEN. Në lidhje me platformën ideologjike të koalicionit VLEN, ja unë pres që deputetët të më bindin, ajo që mund të shihet është se ne tani e zëvendësuam platformën e Tiranës me platformën e Kosovës. Nëse Ali Ahmeti shkonte te Edi Rama të nënshkruajë deklarata, tani do ta kemi Afrim Gashin dhe Bilall Kasamin, te Kurti”, tha Jovana Mojsovska, deputete e partisë E Majta.

Nga VMRO-DPMNE-ja, akuzuan partinë e Apasievit se ata në përbërjen e kaluar kuvendore kanë bashkëpunuar me BDI-në.

“Dëgjom Dimitar, unë isha këtu në përbërjen e kaluar. Këtu me Talatin keni ndarë komplimente. Ti atë e quaje Çegevara, e ai ty të quante Fidel Kastro. Dhe pastaj, keni pirë puro tek ai, me uiski të shtrenjtë. E tani, Ali Ahmeti, në vend të kësaj ane, ka qëndruar këtu dhe ka shkuar në opozitë. Dhe kjo ditë është festë për tërë popullin maqedonas”, u shpreh Mile Lefkov, deputet nga VMRO-DPMNE.

Paraprakisht Kuvendi verifikoi mandatet e 118 deputetëve. Mandati i deputetit iu verifikua edhe kryeministrit teknik Talat Xhaferi, i cili tha se do ta ushtrojë detyrën e kryeministrit, ndërkaq, derisa të zgjedhet qeveria e re nuk do të marrë pjesë në seancat e kuvendit. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 28 Maj, 2024 19:06