Deputetja e LSDM-së dorëzon ankesë kundër Afrim Gashit: Betimin e lexoi fillimisht në gjuhën shqipe

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Maj, 2024 21:03

Deputetja e LSDM-së dorëzon ankesë kundër Afrim Gashit: Betimin e lexoi fillimisht në gjuhën shqipe

Deputetja e LSDM-së dhe ministre në largim e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska njoftoi se tashmë ka dorëzuar ankesë në Departamentin e Inspeksionit në Ministrinë e Kulturës kundër kryetarit të ri të Kuvendit Afrim Gashi, pasi sipas saj, ai është dashur ta lexojë betimin fillimisht në gjuhën maqedonase dhe më pas në gjuhën shqipe.

Ajo tha se Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase është rezultat i angazhimeve dhe politikave tona për afirmimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës maqedonase.

“Nuk mund dhe nuk duhet të heshtet për betimin solemn të dhënë në mënyrë skandaloze, tashmë nga personi i parë i Kuvendit të Maqedonisë. Për këtë arsye tashmë kam parashtruar ankesë në Departamentin për Inspektim në Ministrinë e Kulturës dhe do të vazhdoj t’i përdor të gjithë mekanizmat që janë aktualisht në dispozicion për mbrojtjen dhe përdorimin e gjuhës maqedonase”.

“Prisja që për këtë sjellje të reagonte kryetarja aktuale e shtetit, Siljanovska-Davkova, me të cilën atëherë në rolin e deputetes e përpunuam tekstin e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe se ajo do të dënonte ashpër aktin e mosbërjes së betimit solemn në gjuhën e parë zyrtare të shtetit”, tha Kostadinovska-Stojçevska për “Slloboden Pecat”.

Dje Kostadinovska-Stojçevska ka reaguar edhe në Facebook, e cila ka thënë se presidentja e re ka shkelur frymën e multietnicitetit të vendit, por edhe frymën e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 29 Maj, 2024 21:03