Kosova dërgon në Komision Evropian draftin e agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:55

Kosova dërgon në Komision Evropian draftin e agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes

Pas një pune intensive, Kosova ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe tabelën e dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes, e cila së shpejti do të miratohet në nivel të Qeverisë.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova është vendi i parë në rajon që ka përmbushur këtë hap dhe e ka dërguar këtë dokument drejt BE-së, duke dëshmuar përkushtimin për avancimin e procesit të integrimit evropian.

“Pas një pune voluminoze dhe intensive, Republika e Kosovës ka dërguar drejt Komisionit Evropian draftin e narrativit dhe tabelën e plotë të dakorduar të agjendës së reformave mbi Planin e Rritjes. Së shpejti ajo do të miratohet edhe në nivel të Qeverisë”, tha ai.

Bislimi tha se Kosova është bërë vendi i parë në rajon që e ka përmbushur këtë hap duke e dërguar këtë dokument në BE.

“Vendi ynë është i pari në rajon i cili e ka përmbushur këtë hap dhe dërguar këtë dokument drejt Bashkimit Evropian, duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes, angazhimit e përkushtimit në avancimin e procesit të integrimit evropian dhe përfitimit nga dritarja e mundësisë që ofron kjo iniciativë e BE-së”, tha Bislimi.

Bislimi përmendi sektorët në të cilët janë fokusuar në dokumentin e dërguar.

“Sektorët kyç të prekur e fokusuar janë ato të qeverisjes së mirë dhe administratës publike, tranzicioni drejt energjisë së ripërtëritshme dhe digjitalizimit, zhvillimi i sektorit privat dhe ambientit të të bërit biznes, zhvillimi dhe ruajtja e kapitalit njerëzor, dhe sundimi i ligjit, e ku parashihet realizimi i rreth 30 reformave dhe mbi 100 aktiviteteve, të shtrira përgjatë një periudhe kohore 3 deri në 4 vjeçare”, tha ai.

Zëvendëskryeministri u shpreh se nga Plani i Rritjes së BE-së Kosova pritet të fitojë mbi 900 milionë euro.

“Hapi i radhës është përfundimi i listës së projekteve, e ku puna po vijon në negociata dhe konsultime me institucionet e Bashkimit Evropian. Vendi ynë pritet të përfitojë nga Plani i Rritjes një shumë prej rreth 945 milionë euro, të cilat do shërbejnë në zbatimin e reformave dhe projekteve investive”, u shpreh ai.

Ai theksoi “Kosova në vazhdimësi po shfaq vullnetin e saj jo vetëm për integrim të plotë e sa më parë në familjen evropiane bazuar në norma meritokracie, por edhe gatishmërinë në arritjen e standardeve evropiane e përmbushjen e reformave të nevojshme”.  /Telegrafi/

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:55