NATO synon 40 miliardë euro ndihma çdo vit për Ukrainën, ja kërkesa për vendet anëtare

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:59

NATO synon 40 miliardë euro ndihma çdo vit për Ukrainën, ja kërkesa për vendet anëtare

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka kërkuar vendeve anëtare të zotohen për 40 miliardë Euro ndihma vjetore për Ukrainën, i tha të enjten një burim i aleancës agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s po mblidheshin për bisedime në Pragë.

Zoti Stoltenberg nuk ka përmendur më parë një shumë të caktuar, por më herët zyrtarë të NATO-s patën hedhur idenë e rreth 100 miliardë eurove në pesë vite, ose 20 miliardë euro në vit.

Me pasigurinë për të ardhmen e mbështetjes amerikane për Ukrainën për shkak të mundësisë së rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të ish-presidentit Donald Trump, ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë të premten për mënyrat se si mund t’i japin një të ardhme më solide dhe afatgjatë ndihmave për Ukrainën.

Bisedimet do të përqëndrohen tek qartësimi i detajeve për paketën e ndihmave për Ukrainën, për të cilën do të jepet miratimi në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, në datat 9-11 korrik, ku do të ketë edhe ndryshime për mënyrën se si do të organizohen armët dhe municionet që dërgohen.

“Duhet ta ruajmë nivelin aktual të mbështetjes si një minimum për të siguruar Ukrainës kushtet për t’i parashikuar situatat, për aq kohë sa do të e nevojshme”, tha një burim i NATO-s, duke shtuar se aleatët kishin dhënë rreth 40 miliardë euro në vit që nga sulmi frontal i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 30 Maj, 2024 21:59