Petrovska: Nëse nuk zgjidhem kryetare e LSDM-së, nuk do të kryej funksion tjetër në parti

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 19:29

Petrovska: Nëse nuk zgjidhem kryetare e LSDM-së, nuk do të kryej funksion tjetër në parti

Ministrja në largim e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, e cila ditë më parë paralajmëroi se do të hyjë në garë për kreun e ri të LSDM-së, tha se nëse nuk zgjidhet kryetare, nuk do të kryejë funksion tjetër partiak.

Deklarata e Petrovskës vjen pasi Jovan Despotovski, kandidati tjetër për kryetar të LSDM-së, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka kërkuar që çdo pjesëmarrës në zgjedhjet e brendshme për kryetar partie të marrë përsipër që të mos pranojë asnjë pozitë tjetër, as në nivel qendror e as në atë lokal , nëse nuk zgjidhet kryetar.

Despotovski shtoi se, sipas tij, me këtë rregull do të mundësohet lojë e ndershme dhe se këtë propozim e ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të partisë.

Në një prononcim për TV Telma, Petrovska sot ka bërë të ditur se gjatë javës së ardhshme edhe zyrtarisht do ta paraqesë kandidaturën për kryetare të LSDM-së, në përputhje me Statutin e partisë.

Por ajo kërkoi që përveç detyrimit që të mposhturit në zgjedhjet e brendshme partiake të mos hyjnë në organet e partisë, të vendoset edhe një detyrim që askush nuk mund të kandidojë për herë të tretë, si dhe një detyrim që nëse kandidati apo kryetari i zgjedhur të përballet me përgjegjësi penale, të largohet nga funksioni.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 19:29