QSHP: Komisioni do t’i shqyrtojë grupet në viber, kush ka kopjuar dhe nëse testi i gjuhës amtare do tu anulohet

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 19:38

QSHP: Komisioni do t’i shqyrtojë grupet në viber, kush ka kopjuar dhe nëse testi i gjuhës amtare do tu anulohet

Një komision i përbërë nga punonjës të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QSHP) do të përcaktojë nëse nxënësve të caktuar do t’u anulohet provimi i parë ekstern nga matura shtetërore, gjuha amtare dhe letërsia, për shkak të shkeljes së rregullave gjatë provimit, pra përdorimit të celularit gjatë kohës së provimit, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Kështu deklaroi sot drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Biljana Mihajllovska, në lidhje me rishkrimin masiv për të cilin u raportua të shtunën, kur u dha provimi i parë ekstern i maturës shtetërore, duke theksuar se QSHP do të formojë dhjetë komisione për herën e parë këtë vit, për secilën nga lëndët e përfshira në provimin e maturës, që duhet të konstatojnë parregullsi gjatë vlerësimit.

“Do të merret parasysh edhe grupi i viber-it në të cilin është shpërndarë testi i gjuhës amtare në fillim të provimit të shtunën. Teksti nga ai grup viber, si dhe çdo tekst tjetër që ata gjejnë në çdo grup viber do t’u jepet recensentëve”, tha ajo.

Sipas saj, komisioni i shikon protokollet, konstaton se një testues i caktuar ka hequr një nxënës për shkak të shkeljes së rregullave, shkruan raport dhe në bazë të tij komisioni do të propozojë anulimin e provimit.

“Bazuar në atë që shpërndahet në grup, si dhe nga burime të tjera në internet, testuesit mund të konstatojnë një transkript nga pajisje elektronike. Të dhjetë komisionet do të deklarojnë për secilin rast veç e veç”, ka thënë Mihajllovska.

Ata do t’i japin propozim Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, siç paralajmëroi Mihajllovska, por edhe Qeverisë së re që në të ardhmen të gjejë mënyrë për sigurimin e bllokuesve të sinjalit për celularët, si dhe do të apelojnë që testuesit të paguhen për pjesëmarrjen në testim, siç thuhet në ligjin e ri të pamiratuar për arsimin e mesëm.

“Me një lloj shpërblimi/kompensimi testuesit do të jenë më të motivuar për angazhimin e tyre në maturën shtetërore. Në gjithë këtë situatë harrojmë që 2000 veta bënë një punë të madhe, si ata që u organizuan nëpër shkolla, ashtu edhe ata që ishin testues. Nëse nja dy ose tre thyen rregullat, ne nuk duhet të anulojmë punën e të gjithëve”, tha ajo.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore për Provime (QSHP), e cila është organizatore e provimit të maturës shtetërore, maturantët të shtunën i janë nënshtruar provimit të detyrueshëm ekstern, gjuhë amtare dhe letërsi, për të cilën janë regjistruar 10.088 kandidatë për provimin në gjuhën maqedonase, 4.189 për gjuhë shqipe dhe 315 kandidatë për gjuhë turke.

Risi kryesore këtë vit është që nxënësit t’i nënshtrohen provimeve në kushte më të gjera hapësinore, pra në korridore dhe sallat sportive të shkollave të tyre ose në vendin më të afërt ku ka kushte të përshtatshme në vend të klasave si më parë.

Në datën 8 qershor (e shtunë) do të mbahet provimi i dytë i ekstern (zgjedhor), për të cilin janë regjistruar 1356 kandidatë për matematikë, 13198 për anglisht, 37 për frëngjisht, 114 për gjermanisht, 84 për estetikë dhe një kandidat për gjuhë ruse dhe filozofi.

Sipas konceptit për maturën dhe provimin përfundimtar, nxënësit edhe këtë vit ndjekin dy lëndë të jashtme, dy lëndë të brendshme dhe përgatisin një detyrë projektuese.

Rezultatet paraprake të dy provimeve eksterne do të publikohen jo më vonë se data 8 korrik, pra 30 ditë pas provimit të fundit ekstern.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 19:38