Siljanovska: Është shkelur parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 21:25

Siljanovska: Është shkelur parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve

Presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova, i tha sot ambasadorit francez Cyril Baumgartner se në vend është shkelur parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve. Në deklaratën e zyrës së saj për takimin nuk thuhet se në çfarë mënyre është shkelur ai parim, përcjell FLAKA.

“Në kuadrin e sundimit të ligjit si kriteri i parë dhe më i rëndësishëm nga Kopenhaga, presidentja vuri në dukje sfidat aktuale të brendshme që lidhen me parimin e shkelur kushtetues të ndarjes së pushteteve, pa të cilin nuk ka demokraci parlamentare”, thuhet në deklaratë.

Në takim u bisedua për aspiratat e Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, si prioritet strategjik i vendit. Siljanovska-Davkova theksoi se mbështetja e miqve dhe partnerëve tanë në BE, përfshirë Francën, është shumë e vlerësuar dhe domethënëse për ne.

Ajo pret vazhdimin e procesit të anëtarësimit në BE duke rikthyer besimin në procesin meritor të integrimit, me fokus përmbushjen e kritereve të Kopenhagës. Siljanovska-Davkova shpreson se çështjet historike edhe pas njëqind vjetësh nuk do të kenë përparësi ndaj reformave që janë prioritet kryesor kombëtar dhe pret bashkëpunim më të thellë me Francën për zbatimin e përvojave franceze në zhvillimin e demokracisë. FLAKA

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 3 Qershor, 2024 21:25