Digjitalizimi/ Qeveria dhe institucionet shtetërore pjesërisht të përkushtuara për transformim

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 19:16

Digjitalizimi/ Qeveria dhe institucionet shtetërore pjesërisht të përkushtuara për transformim

Qeveria dhe institucionet shtetërore pjesërisht janë të përkushtuara në aktivitetet për transformim digjital dhe mundësim të shërbimeve elektronike për qytetarët. Këtë e konstaton Enti Shtetëror i Revizionit në raportin lidhur me efikasitetin e portalit kombëtar për shërbime elektronike.

Revizioni ka konstatuar se procesi i digjitalizimit është i ngadaltë, ndërkaq portali i cili jep shërbime elektronike nuk promovohet mjaftueshëm dhe përdoret shumë pak nga qytetarët.

“Prej vitit 2020 e këndej, nëpërmjet portalit kombëtar për e-shërbime prej rreth 110.000 qytetarëve të regjistruar, janë realizuar më pak se 65.000 shërbime elektronike”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Në raportin e Revizionit gjithashtu është konstatuar edhe mungesa e kuadrit të teknologjisë informatike. Për këtë, institucionet janë të detyruara që shërbimet elektronike t’i ofrojnë nëpërmjet operatorëve ekonomikë.

Sipas të dhënave, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka plotësuar vetëm 17% të vendeve të punës të rezervuara për kuadër IT, Fondi për Sigurim Shëndetësor 19%, ndërkaq nga 38%, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.

Përqindje më lartë ka Ministria e Kulturës edhe atë 60%, ndërsa Drejtoria e Doganave 50%.

Enti i Revizionit konfirmon se pesë qendrat për “Një pikë për shërbime” në më shumë qytete, ku qytetarët pa shkathtësi digjitale dhe personat me pengesa munden në një vend të marrin shërbime dhe informata për shërbimet, shumë pak vizitohen nga qytetarët. Konkretisht, për dy vite, këto qendra kanë dhënë gjithsej, vetëm 9,568 dokumente./ Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 19:16