Interesi për të udhëtuar ka rënë, janë rritur ofertat për udhëtime

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 21:02

Interesi për të udhëtuar ka rënë, janë rritur ofertat për udhëtime

Ofertat e udhëtimit janë rritur për 15 për qind e më shumë këtë verë. Nëse një familje prej katër anëtarësh i duheshin 2.000 euro për pushime verore, këtë vit do t’i nevojiten 3.000 euro. Nga agjencitë turistike thonë se ka rënë interesimi për udhëtime. Për një pjesë të qytetarëve, pushimet janë një luks që nuk e përballojnë dot, pasi ende po e ndjejnë krizën ekonomike. Për të tjerët, pushimet janë një mundësi për të shpëtuar nga shqetësimet dhe problemet e përditshme.

Çmimet e aranzhmaneve turistike nga viti në vit po rriten. Qytetarët thonë se ofertat turistike për të udhëtuar jashtë vendit janë të larta në krahasim me standardin e vendit.

“Po kush nuk kishte dashur? Në Shqipëri ose Turqi, po janë normal dhe më duket se secilin vit po i rrisin çmimet nga 20 deri në 30 për qind. Me 400 euro rrogë ku të shkjmë, duhen 3.000 euro minimum.”, – tha një qytetar.

“Për pushim veror vështirë, sepse është shumë shtrenjtë, me pensionet dhe të ardhurat që i kemi s’mundemi.”, – tha një qytetare.

“Në Shqipëri kemi qenë, këtë vit nuk kemi plan, sepse është shtrenjtë.”, – tha një qytetar tjetër.

Nuk është i vogël numri i atyre që anulojnë rezervimet, pasi nuk kanë pasaportë me emrin e ri të vendit. Ky është problem për qytetarët, të cilët kanë planifikuar një udhëtim përpara se të marrin pasaportën e re, por edhe për agjencitë turistike.

“Ne përballemi me anulime të aranzhmaneve, të apartamenteve të rezervuara nga ana e klientëve, të cilët gjatë pagesës nuk na kanë treguar që nuk kanë nxjerrë pasaportë dhe tash i kërkojnë paratë t’ua kthejmë.”, thanë nga agjencitë turistike. 

Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Turqia, Egjipti, Tunizia janë destinacionet më të preferuara për këtë verë. 75 për qind udhëtojnë vetë dhe rezervojnë vetë akomodimin në hotel dhe biletat e avionit.

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 21:02