Kalaja e Gjirokastrës, ndalesa “e detyrueshme” e turistëve

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 20:22

Kalaja e Gjirokastrës, ndalesa “e detyrueshme” e turistëve

Kalaja e Gjirokastrës është një ndalesë e përhershme për vizitorët e qytetit të gurtë. Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella, vizitorët vendas e të huaj e konsiderojnë monumentin më të preferuar për të qenë në listën e vendeve për t’u parë.

Statistikat e publikuara së fundmi nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, flasin qartazi për këtë preferencë. Numri i vizitorëve në Kalanë e Gjirokastrës për muajin maj arriti në 31,665 vizitorë.

Krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, kjo shifër rezulon 59% më e lartë, ose 11,751 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2023.

Ndërsa krahasuar me muajin maj të vitit 2022 u regjistruan 21, 775 vizitorë më shumë. Kalaja është simboli i qytetit të Gjirokastrës, i cili përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme.

Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë.

Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Kalaja e Gjirokastrës, ndalesa “e detyrueshme” e turistëve
Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 4 Qershor, 2024 20:22