Mungesa e autobusëve revolton qytetarët: Kjo nuk durohet më, është shumë e vështirë

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 6 Qershor, 2024 19:01

Mungesa e autobusëve revolton qytetarët: Kjo nuk durohet më, është shumë e vështirë

“A është rëndë që të merret frymë brenda? Nuk ka as ku të hyjmë brenda, një orë të presësh 9, kjo është e turpshme”.

Kështu ndjeheshin ata qytetarë që arritën të gjejnë vend për të qëndruar në këmbë në autobusët e transportit publik në Shkup. Të tjerët u detyruan të vazhdojnë të presin autobusin tjetër dhe të tentojnë të gjejnë vend.

“Kjo nuk durohet më, udhëtoj nga Putniku deri këtu por vërtetë është e vështirë. Shumë rrëmujë dhe nuk ka autobusë, unë zakonisht udhëtoj me 7-en dhe dje e prita mbi një orë dhe pas një ore erdhi një mbi 100 persona ishin në një autobus e sot është e ngjashme a duhet të kthemë prapë edhe me dy autobusë”, deklaroi një qytetar.

“Nëntën e presim shumë dhe kjo nuk është në rregull se në çfarë shteti jetojmë, problem i madh, turp, qyteti kryesor i Maqedonisë dhe të pritet kaq shumë për autobus vërtet është e turpshme. Sa kohë pritni? Ndoshta gjysmë orë ndoshta dhe një orë. Edhe në mëngjes ishte e njëjta situatë? Po, po”, tha një qytetare.

“Jo nuk ka autobusë, as në mëngjes, as në drekë e as në mbrëmje ja 57-shin mbi 20 minuta e pres”, u shpreh një qytetar.

Me këtë situatë prej ditësh përballen shumë qytetarë të cilët udhëtojnë me linjat e autobusëve me numër 9, 19 dhe 20. Qyteti i Shkupit dhe Ndërmarrja për Qarkullim Publik as sot nuk u përgjigjën në pyetjen se përse është krijuar ky kaos me transportin publik e sidomos me linjat private.

Sipas informatave tona, shkak i reduktimit të linjave private sidomos atyre me numër 9, 19, dhe 20 është mos pagesa e subvencioneve ndaj vozitësve të këtyre linjave të cilët janë detyruar të reduktojnë qarkullimin deri në 40 % si shkak i mos pasjes së mjeteve për të blerë derivate. /Alsat.mk

Abedin Bilalli
Botuar nga Abedin Bilalli 6 Qershor, 2024 19:01