Gjermania shton numrin e dëbimeve

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 22:31

Gjermania shton numrin e dëbimeve

Gjermania ka deportuar 30 për qind më shumë njerëz qe nga fillimi i vitit 2024 sesa vitin e kaluar, kur rritja ishte 25 për qind krahasuar me vitin 2022, tha të premten një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të këtij vendi.

Ai tha se arsye për këtë janë ligjet më të rrepta që kanë hyrë në fuqi. Qe nga fillimi i këtij viti janë regjistruar 6.316 dëbime, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2023 janë regjistruar 4.792 dëbime.

Gjatë gjithë vitit 2023, Gjermania deportoi 16.430 njerëz, dhe në vitin 2022, kjo shifër ishte 12.945.

Shumë njerëz u deportuan në Maqedoninë e Veriut, Gjeorgji dhe Austri në dy vitet e mëparshme. Gjermania deporton shumë në shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian pasi shumë prej tyre kanë jetuar atje para se të vinin në Gjermani dhe për këtë arsye duhet të kalojnë procedurat për marrjen e azilit në ato vende.

Dëbimet kanë marrë vëmendje të re që kur një oficer policie gjerman u vra në Mannheim nga një emigrant afgan. Gjermania deri më tani nuk ka deportuar shtetas të Afganistanit dhe Sirisë në vendet e tyre, pasi ata konsiderohen të pasigurt.

Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi dje se dëshiron të lejojë sërish deportimin e kriminelëve të rëndë në Afganistan dhe Siri. Ministria e Brendshme aktualisht po shqyrton mënyrat e mundshme për ta arritur këtë.

Pro Asyl, një organizatë gjermane për të drejtat e refugjatëve, dënoi nismën e Scholz.

“E drejta ndërkombëtare ndalon qartë deportimet në Afganistan dhe Siri”, tha kreu i organizatës Karl Kopp për Augsburger Allgemeine të premten.

Kopp e përshkroi qëllimin e Scholz si të paligjshëm, pasi “të dyja vendet janë të njohura për përdorimin e torturës dhe dënimit çnjerëzor”.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 22:31