Pisonero: Ukraina dhe Moldavia plotësojnë kriteret për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 22:26

Pisonero: Ukraina dhe Moldavia plotësojnë kriteret për nisjen e negociatave për anëtarësim në BE

Ukraina dhe Moldavia plotësojnë të gjitha kriteret e nevojshme për të nisur zyrtarisht negociatat për anëtarësimin në BE, tha Komisioni Evropian të premten.

“Ne konfirmojmë se nga ana e Komisionit konsiderojmë se të gjitha hapat janë përmbushur nga të dy vendet”, tha zëdhënësja e Komisionit për zgjerimin, Ana Pisonero.

“Vendimi është tani në duart e vendeve anëtare – u takon atyre të miratojnë kuadrin e negociatave”, tha ajo.

“Pasi të bëhet ky hap, është prerogativë e Presidencës së BE-së që të thërrasë një konferencë ndërqeveritare për të shënuar zyrtarisht fillimin e negociatave”, shtoi Pisonero.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal, tha se pret që bisedimet të fillojnë më vonë këtë muaj, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

“Tani presim që partnerët tanë evropianë të ndërmarrin hapin tjetër – të fillojnë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian tashmë këtë muaj”, tha Shmyhal në aplikacionin e mesazheve Telegram.

“Çdo ditë, populli ukrainas lufton për të drejtën për të qenë pjesë e familjes evropiane në luftën kundër agresorit rus”.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 7 Qershor, 2024 22:26