Blinken vazhdon përpjekjet për armëpushim në Gazë, takohet me Netanyahun

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 22:02

Blinken vazhdon përpjekjet për armëpushim në Gazë, takohet me Netanyahun

Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua sot me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jerusalem, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të arritur një armëpushim në luftën e Gazës.

Gjithashtu, Bliken ka planifikuar të zhvillojë bisedime me ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant.

Të martën në mëngjes, Blinken pritet të takohet me presidentin izraelit Isaac Herzog.

Blinken tha më herët në Egjipt, ku u takua me presidentin Abdel-Fattah al-Sissi, se vetëm grupi islamik palestinez Hamas nuk kishte rënë dakord me planin e armëpushimit të paraqitur nga presidenti amerikan Joe Biden.

“Pra, e vetmja palë që nuk ka pranuar, që nuk ka thënë Po është Hamasi. Ky është ai që të gjithë presin”, tha Blinken.

“Por është e qartë se praktikisht e gjithë bota është mbledhur në mbështetje të propozimit dhe e vetmja pyetje e hapur është nëse Hamasi do të thotë Po”, shtoi ai.

Blinken u kërkoi qeverive të Lindjes së Mesme që të bëjnë presion ndaj Hamasit për të pranuar propozimin e Biden për t’i dhënë fund luftës në Gazë.

Përfaqësuesit e Hamasit dhe Xhihadit Islamik përsëritën në një takim në Katar të hënën se çdo marrëveshje duhet të përfshijë një fund të plotë të luftës, një tërheqje gjithëpërfshirëse të Izraelit nga Rripi i Gazës, rindërtimin e brezit bregdetar dhe përfundimin e bllokadës.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 22:02