Grupi B: Formacionet e mundshme të kundërshtarëve të Shqipërisë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 21:52

Grupi B: Formacionet e mundshme të kundërshtarëve të Shqipërisë

Kanë mbetur edhe pak ditë para nisjes së Kampionatit Evropian “Euro 2024” që do të startojë më datë 15 qershor, ku nikoqiri i kësaj gare Gjermania do të luajë ndeshjen hapëse ndaj Skocisë. E veçanta e këtij edicioni të Kampionatit Evropian është se bën pjesë edhe Shqipëria e cila është pozicionuar në grupin B së bashku më kombëtare të mëdha si Italia, Spanja dhe Kroacia.

Kalimi i fazës së grupeve po shihet si një mision i vështirë për kuqezinjtë, por jo i pamundur duke marrë parasysh cilësinë dhe kualitetin që posedon Shqipëria në radhët e saj.

Më poshtë do të keni mundësinë të mësoni formacionet e mundshme të Shqipërisë dhe tre kundërshtarëve të saj në grup.

Shqipëria:

Përzgjedhësi Sylvinho do t’i qëndrojë besnik skemës 4-3-3 aty ku portën pritet që t’ia besojë gardianit Etrit Berisha.

Katërshja e mbrojtjes përbëhet nga emra si Mitaj, Gjimshiti, Ismajli dhe Hysaj ndërsa në mesfushë do të rreshtohen tre yjet e kampionatit italian, Asllani Ramadani dhe Bajrami.

Ndërkohë fazën e sulmit pritet që ta udhëheqë Broja i cili do të ndihmohet nga krahët që përbëhen nga Seferi dhe Asani.

Kroacia:

Përzgjedhësi Zlatko Dalic ka në radhët e tij një kombëtare të mbushur me disa veteranë, por kjo nuk duhet të shihet si aspekt negativ, pasi përvoja është gjithçka që mund t’i duhet një ekipi në gara të tilla si ajo e Euro 2024.

Porta pritet që t’i besohet Dominik Livakovic, ndërsa fazën e mbrojtjes tek kroatët pritet ta udhëheqë ylli i Manchester Cityt, Josko Gvardiol.

Në mesfushë Luka Modric do ta ketë fjalën kryesore, ndërsa dy partnerët e tij në këtë repart pritet të jenë Marcelo Brozovic dhe Mateo Kovacic.

Ndërsa në fazën e sulmit Dalic pritet t’ia besojë fanellën e titullarit  Petkovicit i cili do të ndihmohet nga Kramaric dhe Pasalic.

Spanja:

Tek Spanja duhet t’i atribuohen meritat kryesore përzgjedhësit Luis De La Fuente i cili ka arritur të bëjë një miks të përvojës dhe eksperiencës duke e bërë Spanjën një kundërshtar “të frikshëm” për të tjerët.

Në portë tek spanjollët pritet të aktivizohet Unai Simon, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga emra si Grimaldo, Laporte, Le Normand dhe Carvajal.

Në mesfushë ylli i Barcelonës, Pedri së bashku me Rodrin dhe Ruiz do të kenë përgjegjësinë e ndërtimit të aksioneve.

Shpresat në fazën e sulmit spanjollët do t’i kenë tek sensacioni Lamine Yamal i cili ka shkëlyqer sezonin që lamë pas me Barcelonën, ndërsa përkrah tij pritet të luajnë Torres dhe Morata.

Italia:

“Azzurrët” si kampion në fuqi do të tentojnë që ta mbrojnë titullin që e fituan në Euro 2020 pasi mposhtën Anglinë në penallti.

Spalletti pritet që në këtë Kampionat Evropian të luajë me skemën 3-4-2-1 ku mbrojtja pritet të përbëhet nga Bastoni, Buongiorno dhe Darmian.

Në krahë të mesfushës pritet të vendosen Dimarco dhe Di Lorenzo ndërsa qendra do të përbëhet nga Jorginho dhe Barella.

Pak më të avancuar do të jenë dyshja Chiesa dhe Pellegrini, të cilët do ta ndihmojnë Scamaccan i cili do të luajë si sulmues i vetëm.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 21:52