Si do të ndikojnë zgjedhjet bullgare në Maqedoninë e Veriut?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 19:17

Si do të ndikojnë zgjedhjet bullgare në Maqedoninë e Veriut?

Fitorja e koalicionit konservator GERB-SDS, në Bullgari i kryesuar nga ish-kryeministri Bojko Borisov sipas njohësve të politikës së jashtme do të reflektojë pozitivisht në marrëdhëniet e shtetit bullgar me Maqedoninë e Veriut. Ish Ambasadori i vendit në Bullgari, Marjan Gjorçev, thotë se bashkëpunimi shumëvjeçar mes VMRO-DPMNE dhe GERB-it nënkupton se ka shanse reale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

“Për ne si Maqedoni është mirë që GERB dhe SDS janë anëtare të partive evropiane popullore dhe partia aktuale udhëheqëse në Maqedoni VMRO-DPMNE, bashkëpunon me ta shumë vite, me GERB tashmë 15 vite dhe me SDS më shumë se 20 vite. Kështu që ekzistojnë shanse reale që më në fund të shkrihet kjo mosmarrëveshje mes Maqedonisë dhe Bullgarisë dhe të shkojmë në drejtim pozitiv“, deklaroi Marjan Gjorçev, ish ambasador në Bullgari.

Edhe përskaj faktit që akoma nuk dihet se cili subjekt tjetër do të bëhet pjesë e koalicionit për formimin e Qeverisë bullgare, Gjorçev vlerëson se kjo nuk do të kishte ndonjë ndikim të madh.

“Tani shihet qartë se ka shanse të mëdha që përsëri të formojë qeveri. Tani çështja është se kush do të jetë me të në koalicion. Përsëri nuk dihet, janë 7 subjekte politike, nuk dihet a do të jetë e mjaftueshme, Gerb nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve, prej 240 deputetëve duhet 120, ai ka rreth 80… Sido që të jetë Gerb do të jetë udhëheqës, Gerb do të jetë mandatar“, tha Marjan Gjorçev, ish ambasador I RMV-së në Bullgari.

Partia e ish kryeministrit Bojko Borisov, sipas anketës Gallup international ka marrë 26.7% të votave në zgjedhje. Koalicioni “Vazhdojmë ndryshimet Bullgaria Demokratike” e Kirill Petkovit dhe Hristo Ivanovit, ka marrë 15,5 për qind të votave, ndërsa Lëvizja për të Drejta dhe Liri, e udhëhequr nga Deljan Peevski ka marrë 15,1 për qind.

Rilindja ka marrë rreth 14 për qind, BSP-ja 9,8 për qind, ndërsa koalicioni “Ka popull të tillë ” ka marrë 6,4 për qind nga numri i përgjithshëm i votave. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 10 Qershor, 2024 19:17