Papunësia ulet sepse po ikin punëtorët

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 22:25

Papunësia ulet sepse po ikin punëtorët

Papunësia në Maqedoni po zvogëlohet si rrjedhojë e ikjes së fuqisë punëtore jashtë shtetit, hapjes së vendeve të punës dhe mos evidentimit të punës informale

Papunësia në Maqedoni po zvogëlohet si rrjedhojë e ikjes së fuqisë punëtore jashtë shtetit, hapjes së vendeve të punës dhe mos evidentimit të punës informale. Të dhënat e fundit të statistikës tregojnë se në fund të muajit mars papunësia shënon shifrën prej 12.9 për qind. Kjo paraqet një ulje të konsiderueshme në raport me papunësinë prej 16.2 për qind në mars të vitit 2020. Eksperti ekonomik, Neritan Turkeshi thotë se jemi dëshmitarë se për çdo javë autobusët po shpijnë rininë e Maqedonisë drejt qyteteve të Evropës për punë sezonale apo punë të përkohshme, se nuk ka vendbanim në vend ku nuk kërkohen punonjës , se punëdhënësi ankohen se e kanë vështirë të gjejnë punë, por edhe të lehtësimit për çdo vit të kushteve të punës dhe përgatitjes së dokumentacionit në Gjermani . Nga ana tjetër kemi edhe më shumë punonjës që zyrtarisht janë të papunë por që punojnë diku duke realizuar të ardhura që hyjnë në shifrën e të papunëve, ndërsa edhe rritja e caktuar e pagave nuk bën punë në kushte të shtrenjtimeve tejet të mëdha të jetesës.

Problem më vete është edhe mungesa e harmonizimit mes arsimit dhe nevojave reale të tregut të punës. Ekziston edhe struktura e pafavorshme e fuqisë punëtore në tregun e punës ku figurojnë ka një numër i madh i të papunëve me aftësi të ulëta, arsimim joadekuat…

Ekonomistët thonë se numri i të papunëve në Maqedoni për një vit apo 2023 krahasuar me vitin 2022 ka rënë për më shumë se 12.5 mijë. Për të njëjtën periudhë, numri i të punësuarve ra me më shumë se 3.7 mijë persona. Apo me fjalë tjera, në një vit, numri i të papunëve dhe i të punësuarve në vend shënuan një rënie totale prej më shumë se 16 mijë persona. Fuqia e punës po zvogëlohet dhe shteti duhet të marrë masa për të parandaluar më tej jo ikjen , por eksodin, thekson eksperti tatimor , Pavle Gacov. Sipas tij, duhen politika për të mbajtur punëtorët. Sidomos për të rinjtë dhe profesionistët, dhe veçanërisht politikat për përfshirjen në ekonominë e rregullt të të padeklaruarve (ekonomia gri/e zezë), dhe në fund një politikë e kthimit të punonjësve të larguar (dhe për këtë nuk mjafton vetëm rritja e pagave…). Nga ana tjetër, në disa vitet e fundit, nga gjithsej 19 aktivitete, për të cilat Enti Shtetëror i Statistikave mban evidencë, 13 kanë shënuar rënie dyshifrore të fuqisë punëtore. Bujqësia, aktivitetet e shërbimeve, ndërtimi dhe industria humbën më shumë punëtorë, por rënie të ndjeshme u vunë re edhe në energji, administratë, shëndetësi dhe administratë publike.

Sipas Anketës së nevojave për aftësi në tregun e punës të kryer nga Agjencia për Punësim, në vitin 2023, 32 për qind e punëdhënësve të anketuar në Maqedoni deklaruan se kishin vështirësi në gjetjen e kuadrit të përshtatshëm për plotësimin e vendeve të lira. Në këtë drejtim dallohen këto profesione: programues, inxhinier mekanik, kontabilist, inxhinier ndërtimi, farmacist, arkitekt, mjek, infermier, teknik mekanik, kamarier, rrobaqepës, shitës, kuzhinier, bravandreqës, shofer kamioni, punëtor ndërtimi, bukëpjekës , saldator, elektricist etj.

Arsyet më të zakonshme pse punëdhënësit janë përballur me vështirësi në sigurimin e punëtorëve me profesionet e përmendura më parë janë: mungesa e interesit dhe motivimit të kandidatëve për të kryer detyrat e punës në profesionin specifik, mungesa e kandidatëve që posedojnë njohuri praktike dhe shkathtësi të nevojshme për kryerjen e detyrave të punës në profesionin e caktuar, mungesa e kandidatëve me përvojë pune adekuate, mungesa e kandidatëve me arsim të përshtatshëm si dhe mungesa e kandidatëve që do të pranonin një vend pune për pagën e ofruar. Në lidhje me nevojën për njohuri dhe aftësi shtesë që kandidatët duhet të posedojnë gjatë punësimit, veçanërisht në mesin e personelit me arsim të lartë, punëdhënësit theksuan nevojën për njohje të gjuhëve të huaja, njohuri të shkëlqyera të punës me kompjuter dhe posedim të një certifikate të përshtatshme për njohuritë e fituara. Përveç kësaj, disa punëdhënës në mënyrë specifike theksuan nevojën për njohuri shtesë dhe certifikata të fituara për aftësi të avancuara të Teknologjisë informaike.

Përveç rëndësisë së kualifikimeve dhe aftësive që kandidatët duhet të posedojnë gjatë punësimit, për profesione të caktuara, punëdhënësit theksuan se është e dëshirueshme përvoja e mëparshme e punës. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 11 Qershor, 2024 22:25