Vala e të nxehtit shton thirrjet në urgjencë, intervenime të shtuara në hapësira publike
Për shkak të temperaturave të larta në Maqedoninë e Veriut është shpallur faza e alarmit të verdhë dhe portokalli. Autoritetet bëjnë thirrje që të respektohen masat që i miratoi qeveria. Por, mjekët vlerësojnë se qytetarët nuk i respektojnë këto rekomandime, pasi në urgjencë është shtuar numri i thirrjeve dhe bashkë me to edhe intervenimet nëpër vende publike.
“Nuk respektohen rekomandimet, kështu që prej në mëngjes kemi rritje të numrit të intervenimeve në vende publike. Domethënë nëpër stacione autobusësh, qendra tregtare, para supermarketeve, nëpër vende pune, kështu që me atë numër ekipesh që kemi mundohemi maksimalisht aq sa mundemi që të intervenojmë…Kemi diku 15 intervenime në vende publike, përskaj atyre që i kemi të rregullta që intervenojmë rregullisht… Kemi një problem kronik pasi urgjenca për momentin punon me numër të reduktuar ekipesh, ndërrimet e natës janë me 5 apo 6 ndërsa ndërrimet e mëngjesit janë me 6-7 ekipe“, deklaroi Gjorgi Karamanovski, mjek I urgjencës.
Qytetarët thonë se po mundohen që të dalin vetëm sipas nevojës, por ndonjëherë është e pamundur që t’i shmangen daljeve edhe gjatë kohës kur nuk rekomandohet ekspozimi në diell.
“Janë temperatura të larta, por puna është se njerëzit kanë punë, ose ata që janë të sëmurë nga zemra të mos dalin. Nga ministria e Shëndetësisë ka rekomandime që të mos dalin prej orës 11:00 deri në orën 17:00…Njerëzit kanë edhe termine, ose të mjeku, ose i lënë në atë kohën kur është nxehtë… ”, tha një qytetar.
“Nxehti, është siç e shohim vetë, unë erdha në mëngjes, i përfundova shpejt e shpejt punët dhe tash të kthehem mbrapa, por shumë nxehtë është… Nuk e kisha mendjen të dal por më porositën diçka, prandaj dola”, u shpreh një tjetër qytetar.
“Vetëm sipas nevojës dalim në këtë të nxehtë, përndryshe të mos kishim nevojë do të dilnim”, tha një tjetër qytetar.
Si po përballeni me motin e nxehtë?
“Shkëlqyeshëm, ujë të ftohtë me vete, lëngje, akullore…I shmangemi daljes prej orës 12:00 deri në orën 15:00, atëherë është më nxehtë”, tha një qytetare.
“I shmangemi të nxehtit, koha është e bukur, më mirë të dilet në mëngjes”, deklaroi një qytetare.
“Dal vetëm sipas nevojës, kam shtypje të lartë dhe duhet të kem kujdes, pij ilaçe dhe kështu ”, u shpreh një qytetar.
Qytetet Gjevgjeli, Bogdanc, Vallandovë dhe Dojran sot dhe nesër do të jenë në fazën e alarmit portokalli dhe me këtë rast nga Qendra për Menaxhim me Krizat bën thirrje që të respektohen rekomandimet që i miratoi Qeveria. Rekomandimet për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta parashohin lirim nga obligimet e punës për kategoritë e prekura, gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Më tej rekomandohet që nëpër çerdhe të mos praktikohen aktivitete fizike në periudhën prej orës 11:00 deri në orën 17:00. /Alsat.mk