Athina dhe Shkupi mbeten në qëndrimet e tyre për përdorimin e emrit të shtetit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 14 Qershor, 2024 22:03

Athina dhe Shkupi mbeten në qëndrimet e tyre për përdorimin e emrit të shtetit

Një tjetër mesazh nga Greqia – Emri kushtetues është erga omnes dhe duhet përdorur kështu, presidenti dhe kryeministri nuk janë qytetarë të thjeshtë – ata përfaqësojnë shtetin, përcjell FLAKA.

Ky është komenti i zëvendësministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, Alexandra Papadopoulou, për qëndrimin e Siljanovska Davkovës dhe Mickoskit se ata e respektojnë Marrëveshjen e Prespës, por se kanë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe prandaj në vend të Maqedonisë së Veriut, ata mund ta quajnë vendin vetëm Maqedoni. Papadopoulou, e cila ndodhet në një vizitë dyditore në Shkup, në një intervistë për 360 gradë tha:

“Kur Kryeministri, Presidenti ose Ministri i Punëve të Jashtme, ose Ministri i Mbrojtjes flasin në cilësinë zyrtare, ata përfaqësojnë shtetin dhe shteti ka një emër kushtetues që përcaktohet dhe miratohet me një marrëveshje ndërkombëtare të lidhur brenda korniza e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Më lejoni të sqaroj edhe një herë – ky emër, emri kushtetues i vendit, është emër për përdorim universal (erga omnes) për të cilin është rënë dakord në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duhet respektuar. Nuk është çështje personale”, tha Alexandra Papadopoulou, Zëvendësministre e MPJ e Greqisë.

Papadopoulou shoqëroi dje kreun e diplomacisë greke, Giorgos Gerapetritis, i cili mori pjesë në Samitin e Krerëve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore. Gerapetritis u ul në karrigen pranë Siljanovska Davkovës, qëndroi një orë në Shkup dhe nuk pati takime zyrtare bilaterale.

Siljanovska Davkova, nga ana tjetër, pas përfundimit të Samitit, deklaroi se gjatë Samitit nuk është ngritur tema e Marrëveshjes së Prespës dhe se sipas saj atmosfera ka qenë e këndshme. Gjatë konferencës për shtyp, kryetarja e shtetit nuk e përmendi një herë emrin Maqedonia e Veriut, por as Maqedonia. Megjithatë, ajo u thirr te e drejta individuale të njeriut për të përdorur emrin e vjetër kushtetues.

“Është e vërtetë që çdo deklaratë e njerëzve politikë interpretohet sikur të ishte një akt zyrtar, por secili prej nesh e ka si Janusin me dy fytyra – një zyrtar dhe një tjetër. Si njeri, kam të drejtë, e përsëris, që nga Sokrati e deri më sot, në kuadrin e lirisë së mendimit dhe lirisë së shprehjes së mendimit, të shprehem ashtu siç shprehem”, tha Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, sot zëvendësja e Gerapetritit ka pasur takim me kryeparlamentarin Gashi, me liderin e BDI-së Ali Ahmeti dhe me partnerin e ardhshëm qeveritar të Mickoskit, Arben Taravari. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 14 Qershor, 2024 22:03