Çmimi i apartamenteve po thyen rekorde, ndërsa ndërtimet vijojnë me ritme të pandërprera

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 14 Qershor, 2024 22:15 Përditësuar

Çmimi i apartamenteve po thyen rekorde, ndërsa ndërtimet vijojnë me ritme të pandërprera

Vijon ofensiva ndërtimore e banesave në vend. Të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar janë ndërtuar gati 6000 banesa, përcjell FLAKA.

Statisticienët kanë llogaritur se 2331 janë ndërtuar nga persona fizik, pra ndërtues individual dhe 3445 janë ndërtuar nga kompani ndërtimi.

“Në vitin 2023 subjektet afariste që merren me veprimtari ndërtimore kanë kryer punime ndërtimore në vlerë prej 599 milionë euro. Nga këto, 308 milionë euro janë për objekte individuale. Gjatë vitit 2023 janë ndërtuar gjithsej 2,874 objekte dhe janë përfunduar gjithsej 3,445 apartamente me sipërfaqe totale 243,815 m2, nga të cilat 3,415 janë në pronësi individuale. Sipërfaqja mesatare e shfrytëzueshme e apartamenteve të përfunduara është 70.8 m2. Sipas rajoneve, më së shumti ndërtime është bërë në rajonin e Shkupit, pastaj në atë jugperëndimor, pellagonik etj”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikës.

Vlera e objekteve të ndërtuara nga persona fizik llogaritet në rreth 220 milionë euro. Sa i përket subjekteve afariste, gjegjësisht kompanive, numri i objekteve të tyre të ndërtuara vitin e kaluar ka arritur në gati 2900 objekte, dhe mesatarisht 70 metra katrorë kanë qenë banesat e ndërtuara nga kompanitë e ndërtimit.

Të dhënat e statistikave shtetërore thonë se në rajonin e Pollagonisë ka më së shumti ndërtesa të ndërtuara nga persona fizikë. Kompanitë e ndërtimit investojnë kryesisht në rajonin e Shkupit.

Një apartament i ri në qendër të Shkupit varion nga 1500 deri në 2000 euro. Ato më luksoze mund të kushtojnë mbi 3000 euro për metër katror. Ndërtuesit janë të vendosur se do të ketë stabilizim çmimesh por jo ulje çmimesh në nivelin para pandemisë.

“Duhet të theksoj këtu se një peshë të madhe në çmimin e apartamenteve, aktualisht sidomos në komunat me aktivitet të madh transaksionesh, është moratoriumi që u shpall në komunat si Ohri, Qendër, taksa e mosndërtimit prej 4 vitesh është tani shumë e lartë dhe kjo ushtron presion shtesë në çmimin e hapësirës për banim, duke pasur parasysh se kërkesa është shumë e lartë dhe oferta është shumë e ulët. Pavarësisht faktorëve të tjerë që i përmenda, përderisa kërkesa është shumë më e lartë se oferta, nuk mund të presim ulje të çmimeve dhe mund të presim stabilizim duke pasur parasysh kostot”, thotë Andrea Serafimovski.

Kjo situatë me çmimet e apartamenteve ka kontribuar në fitimin e qytetarëve që kanë shitur një apartament të vjetër apo të rinovuar. FLAKA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 14 Qershor, 2024 22:15 Përditësuar