Dënimet e 2.5 milionë amerikanëve për marijuanë do të falen

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Qershor, 2024 22:17

Dënimet e 2.5 milionë amerikanëve për marijuanë do të falen

Këtë javë Merilendi u bë shteti i fundit që njoftoi falje masive për persona të dënuar për krime të lidhura me marijuanën, në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar jetët e atyre që përfunduan në burgje për shkak të një lufte 10 vjeçare të vendit kundër drogës.

Sipas planit të guvernatorit Wes Moore, më shumë se 175 mijë të dënuar për posedim të kanabisit ose pajisje droge do të falen, por nuk do të fshihen përgjithmonë nga historiku penal i këtyre individëve.

Në vazhdim një vështrim mbi qëndrimet amerikane në trajtimin e rasteve të vjetra me të dënuar për marijuanë.

Një pjesë e dënimeve për kanabis janë shlyer ose falur

Grupi që mbështet legalizimin e marijuanës, ‘NORML’, thotë se rreth 2.5 milionë dënime për kanabis janë shlyer ose falur gjatë viteve të fundit.

“Është numër i vogël kur merret parasysh fakti se gjatë 50 viteve të fundit apo më shumë, mbi 30 milionë amerikanë janë arrestuar në nivel shtetëror ose lokal për marijuanë”, tha në një intervistë Paur Armentano, zëvendësdrejtor i grupit ‘NORML’.

Personat e falur rifitojnë të drejtat e tyre civile, si e drejta për të votuar, për të shërbyer në një juri gjyqësore, apo për të zotëruar armë.

Shlyerjet e dënimeve shkojnë më tej, duke fshehur plotësisht historikun dhe të dhënat e dënimeve; gjë që u mundëson individëve që përfitojnë marrjen e ndihmës federale për shkollim, kualifikimin për strehim publik dhe lejon ata që janë prindër të marrin pjesë në aktivitetet shkollore të fëmijëve të tyre, krahas edhe disa përfitimeve tjera.

Zyrtarët e degës ekzekutive siç janë kryetarët e bashkive, guvernatorët dhe presidenti mund të falin dikë, por pak drejtues kanë vepruar si ai i Merilendit. Vendime të ngjashme ka patur edhe në Masaçusets, Nevada, Oregon, Birmingham, Alabama dhe Kansas City.

Presidenti Joe Biden ka urdhëruar falje të shumta për ata që janë dënuar për posedim të kanabisit në zona në pronësi federale ose në Distriktin e Kolumbias.

Nuk është e qartë se kush dhe sa veta përfitojnë. Për të kuptuar nëse janë falur ose jo, të dënuarit duhet të aplikojnë për një certifikatë; që nga ky muaj, pak më shumë se 200 persona që kualifikoheshin për faljen e presidentit Biden e kishin bërë këtë aplikim.

Duhet një gjykatë, zakonisht e bazuar në një ligj, për të urdhëruar pastrimin e historikut penal, megjithëse Oregoni e siguron këtë së bashku me faljet dhe qasja e Merilendit e bën këtë më të lehtë.

Pastrimi i së shkuarës kriminale i ka rrënjët në legalizimin e marijuanës

Ligjet e marijuanës kanë ndryshuar shumë që nga fundi i viteve ‘90, kur shtetet nisën ta lejojnë përdorimin e marijuanës për shkaqe mjekësore, një praktikë që është përqafuar nga shumica e shteteve.

Njëzet e katër shtete e kanë legalizuar përdorimin rekreativ për të rriturit, 26 shtete e kanë dekriminalizuar dhe Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara këtë vit është hedhur në lëvizje për ta riklasifikuar atë si një drogë më pak të rrezikshme, duke u dhënë shpresë aktivistëve në mbështetje të legalizimit të marijuanës, për lejimin e përdorimit të saj në 12 shtetet qe e ndalojnë atë.

Legalizimi i marijuanës në Kolorado dhe Uashington, shtetet e para që ndërmorën një veprim të tillë, ngriti një pikëpyetje: A duhet që njerëzit e dënuar në të kaluarën të vazhdojnë të vuajnë pasoja për diçka që tani është e ligjshme?

Një numër në rritje i votuesve dhe ligjvënësve thonë jo. Shumica e shteteve që kanë legalizuar marijuanën kohëve të fundit, e kanë bërë pjesë të politikës së re mënyrën e pastrimit të dënimeve për posedim marijuane në të kaluarën.

Një dispozitë e shlyerjes së dënimeve për ata që kualifikohen ishte pjesë e një mase të miratuar nga votuesit që mbështetën legalizimin e marijuanës në Merilend më 2022.

Por në shumë raste këto dispozita kërkojnë që njerëzit e dënuar të kërkojnë shlyerjen e historikut të tyre, një proces që mund të marrë kohë dhe kërkon ndihmën e një avokati.

Politikat si ajo e Merilendit mund të trajtojnë pabarazinë gjinore

Avokatët thonë se faljet dhe shlyerjet e shumëfishta të dënimeve, si në rastin e Merilendit, është një mënyrë për të trajtuar pabarazitë e vjetra racore.

Sipas disa studimeve, afrikano-amerikanët kanë vuajtur më shumë pasojat e politikave kombëtare mbi drogën, krahasuar me amerikanët e bardhë, megjithëse të dhënat tregojnë se përdorimi i marijuanës nga të dyja grupet është në një shkallë të ngjashme.

Një analizë e Bashkimit Amerikan për Liritë Civile (ACLU) zbuloi se afrikano-amerikanë kishin tre herë më shumë shanse se sa të bardhët të akuzoheshin për posedim të marijuanës më 2018. Pabarazi janë vërejtur në çdo shtet.

Faljet dhe shlyerjet automatike të dënimeve mbulojnë të gjithë ata që kualifikohen, duke pakësuar mundësitë për pabarazi.

Një studim i vitit 2020 nga profesorë të Shkollës Juridike të Universitetit të Miçiganit zbuloi se përfituan më pak se 7 për qind e personave që kualifikoheshin për pastrimin e historikut penal. Shumica nuk aplikuan.

“Sipas modelit të vjetër, duheshin burime të shumta për të siguruar pastrimin e historikut penal”, tha Adrian Rocha, menaxher i politikave në Projektin “I burgosuri i fundit”, që, ngjashëm me grupet e tjera mbështetëse, angazhohet për politika faljeje dhe pastrim të historikut penale në shkallë të gjerë.

“Faljet e përgjithshme për të gjitha kategoritë e aktiviteteve që në të kaluarën ishin kriminale, ndihmojnë komunitetet me ngjyrë dhe lehtësojnë trajtimin e çështjeve me të cilët janë përballur komunitetet në të kaluarën”, thotë Cat Packer, nga Aleanca e Politikave të Drogës./VOA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Qershor, 2024 22:17