RMV-ja shënon humbje më të mëdha të ujit në rajon, KRrE: Të gatshëm të përcaktojmë çmimin e ujit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Qershor, 2024 19:53

RMV-ja shënon humbje më të mëdha të ujit në rajon, KRrE: Të gatshëm të përcaktojmë çmimin e ujit

Vendi ynë është një nga vendet me humbjet më të mëdha të ujit, që shënon rreth 63 për qind në nivel të gjithë vendit, thotë kryetari i Komisionit Rregullativ për Energji, Marko Bislimovski. Humbjet e mëdha të ujit janë mbi të gjitha për shkak të një numri të madh improvizimesh në këtë sektor, por edhe të joinvestimit në infrastrukturë dhe përmirësimin e saj. Që të stabilizohet gjendja me ujin e pijshëm, KRrE-ja është e përgatitur të caktojë çmimin përfundimtar të ujit, potencon Bislimovski.

“Ne si Komision rregullator disa herë kemi thënë se nuk ikim nga përgjegjësia dhe jemi të përgatitur të përcaktojmë çmimin përfundimtar për të gjitha shërbimet e ujit, duke pasur parasysh përvojën tonë edhe në energjetikë me atë që garantojmë se do të përmirësojmë efikasitetin e kompanive, do të mundësojmë një numër më të madh të investimeve dhe do t’i ulim humbjet e ujit në nivel shtetëror.”, – deklaroi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski.

Duke komentuar qëndrimin e përfaqësuesve nga industria e prodhimit të bukës, sipas Bislimovskit, mësohet se ata në masë të madhe varen nga prodhimi vendor dhe se me rritjen e rrymës do të rritet edhe çmimi i bukës. Ai më tej shton se furrat janë të obliguara ligjërisht të sigurojnë energji elektrike në tregun e lirë dhe se ato nuk duhet të furnizohen nga EVN Home.

“Kompanitë më të mëdha për prodhimin e bukës të cilat sigurojnë mbi 90 për qind të nevojave për bukë, sipas ligjit të energjetikës duhet të kyçen në tregun e lirë të energjisë elektrike, sepse ata asnjëherë nuk janë furnizuar nga furnizuesi universal EVN Home. Tani do të luftojmë edhe me lajme të rreme edhe pse asgjë nuk ka qenë e saktë, prandaj ne jemi këtu t’i luftojmë këto të pavërteta.”, – theksoi kryetari i KRrE-së, Marko Bislimovski.

Bislimovski inkurajon edhe të gjithë konsumatorët e vegjël, sipas mundësive të kthehen në tregun e lirë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 19 Qershor, 2024 19:53