Disa vende të Ballkanit Perëndimor përballen me ndërprerje të rrymës

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 21 Qershor, 2024 19:20

Disa vende të Ballkanit Perëndimor përballen me ndërprerje të rrymës

Shumë qytete në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike, më 21 qershor.

Nga Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO) kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk ka probleme me furnizim me energji elektrike në Kosovë.

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) në Shqipëri tha se shkaktarët e ndërprerjes së rrymës kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme, që kanë shkaktuar defekte në linjën e interkoneksionit me Greqinë.

“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin”, tha OST përmes një njoftimi duke shtuar se po merren masa për rikthimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, tha se ndërprerja zgjati rreth gjysmë ore në gjithë vendin dhe konfirmoi se, sipas një analize fillestare, temperaturat e larta dhe sistemi i ngarkuar i transmetimit ishin shkaktarë.

“Kemi arritur të rikuperojmë situatën brenda 30 minutash në gjithë vendin, e për Tiranën për 17 minuta”, tha ajo në një video të publikuar në faqen e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Facebook.

Ajo shtoi se Shqipëria “vazhdon të jemi zonë me rrezikshmëri të lartë, sepse volumet e transmetimit ne linjat e interkonjeksionit janë të mëdha dhe temperaturat do të mbeten në nivele rekord edhe ditët në vijim”.

Sistemi për shpërndarjen e rrymës në Mal të Zi njoftoi përmes një postimi në Facebook se ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se pothuajse i tërë vendi është pa rrymë.

Ministri malazez i Energjisë dhe Minierave, Sasha Mujoviq, tha se problemi i ndërprerjeve të energjisë elektrike është “i natyrës rajonale, është një dështim rajonal”.

Ai shton se operatorët e sistemit të transmisionit janë të “fokusuar maksimalisht”, edhe pse për “momentin nuk dihet ende se ku është faji”.

“Po punojmë për normalizimin e situatës dhe rikthimin e sistemit”, tha Mujoviq.

Ai beson se kjo ka ndodhur për shkak të ngarkesës së madhe.

“Konsumimi u rrit ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta. Në një situatë të temperaturave të larta, ndodh që ftohja e ajrit të jetë më e dobët, dhe temperaturat e larta çojnë në rënien e linjës”, shtoi Mujoviq.

Edhe Kroacia njoftoi se disa pjesë të vendit janë përballur me ndërprerje të rrymës, përderisa autoritetet kroate, së bashku me homologët e tyre në shtetet fqinje, thanë se po analizojnë shkakun e ndërprerjes së rrymës.

Mali i Zi, Kroacia dhe Shqipëria e ndajnë vijën bregdetare të Detit Adriatik. Rrjetet energjetike në rajon vazhdojnë të jenë të lidhura edhe pas luftërave në Ballkan në vitet e ’90-ta.

Operatori i Pavarur i Sistemit në Bosnje e Hercegovinë (BeH) tha se “nuk ishte e mundur të parandalohej kolapsi i sistemit të energjisë elektrike” në këtë shtet.

“Ndërprerja e furnizimit me energji elektrike është përhapur edhe në Kroaci, me të cilën Bosnje e Hercegovina ka numrin më të madh të linjave ndërlidhëse të transmisionit”, tha operatori.

Operatori theksoi se normalizimin e situatës e pengojnë tensionet e larta në rrjetin 400 dhe 220 kilovolt (kV).

Ndërkaq, drejtori i Kompanisë së Energjisë Elektrike në Republikën Sërpska, Luka Petroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se arsyeja e ndërprerjes së rrymës në pothuajse tërë territorin e Bosnjës është për shkak të një “problemi në rrjetin e energjisë në Mal të Zi”.

Probleme me rrymë nuk janë raportuar në Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

Ndërprerja e rrymës të premten pasdite ndodhi në një kohë kur autoritetet në rajon i paralajmëruan qytetarët të jenë të kujdesshëm, të pinë ujë dhe ta shmangin diellin, për shkak të temperaturave tejet të larta.

Meteorologët thonë se i nxehti në rajon këtë javë erdhi nga Afrika.

Ditëve të fundit, Kosova është përballur me temperatura mbi 35 gradë Celsius./REL

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 21 Qershor, 2024 19:20