Anija e mallrave “Dali” largohet nga Baltimore, gati 3 muaj pas përplasjes me urën

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 22:49

Anija e mallrave “Dali” largohet nga Baltimore, gati 3 muaj pas përplasjes me urën

Anija e mallrave “Dali” u nis nga porti i Baltimorës për në Virxhinia të hënën, gati tre muaj pasi mbeti pa energji dhë më pas goditi një nga këmbët e urës “Francis Scott Key”, duke shkaktuar shembjen e saj.

Anija 299 metra e gjatë filloi të lëvizte pak para orës 8:30 të mëngjesit, duke u tërhequr nga katër rimorkiatorë.

Anija “Dali” do të shkojë në terminalin ndërkombëtar të anijeve në Norfolk të Virxhinias, ku do t’i nënshtrohet riparimeve nga dëmet e shkaktuara gjatë përplasjes me urën në Baltimore.

Menjëherë pasi u largua nga porti i Baltimores më 26 mars, anija pësoi një difekt që shkaktoi ndërprerjen e furnizimit të saj me energji elektrike dhe përplasjen me një nga këmbët e urës “Francis Scott Key”, duke vrarë gjashtë punëtorë që po punonin mbi urës.

Më 20 maj, ajo u kthye në port, gati dy muaj pas ngecjes në rrënojat masive prej çeliku të urës së shembur.

Një hetim i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit zbuloi se anija pati dy ndërprerje të energjisë në orët para nisjes nga Porti i Baltimorës. Në momentet para shembjes së urës, ajo pësoi sërish ndërprerje të energjisë dhe doli nga kursi. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit është ende duke hetuar shkaqet e ndërprerjes së energjisë elektrike.

FBI gjithashtu ka nisur një hetim të këtij incidenti.

Javën e kaluar, sipas një marrëveshjeje të konfirmuar nga një gjykatës federal, anëtarët e ekuipazhit të anijes “Dali” u lejuan të ktheheshin në vendet e tyre. Asnjë nga anëtarët e ekuipazhit nuk kishte mundur të largohej nga Shtetet e Bashkuara që nga incidenti. Sipas marrëveshjes, anëtarët e ekuipazhit mund të kthehen në vendet e tyre, por duhet të jenë të disponueshëm për paraqitje të dëshmive për incidentin nëse thirren nga autoritetet.

Mijëra punëtorë të portit, kamionistë dhe pronarë të bizneseve të vogla janë ndikuar nga incidenti, duke nxitur zyrtarët lokalë dhe shtetërorë të marrin hapa që pëparësi kryesore të bëhej rihapja e portit dhe rifillimi i trafikut ujor në kapacitetin normal me shpresën për të kufizuar pasojat ekonomike.

Në fillim të këtij muaji, zyrtarët njoftuan rihapjen e kanalit “Fort McHenry”, pas pastrimit të rrënojave nga kanali 213 metra i gjerë dhe 15 metra i thellë.

Zyrtarët kanë thënë se shpresojnë që puna për ndërtimin e urës të përfundojë deri në vitin 2028./VOA

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 22:49