Breshëri dhe shiu i mbrëmshëm shkaktuan shumë dëme në Tetovë dhe Shkup

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 19:09

Breshëri dhe shiu i mbrëmshëm shkaktuan shumë dëme në Tetovë dhe Shkup

Shi i rrëmbyeshëm, breshër, erë e fortë, rrugë dhe vetura të përmbtura dhe drunjë të rrëzuar rrugëve, ishin pasqyra e djeshme e qyetit të Shkupit dhe Tetovës pas motit të rënduar që kaploi vendin në orët e pasdites. Nga Qendra e Menaxhimit të Krizave e Qytetit të Shkupit thanë se dje pasdite numri për thirrje emergjente kishte qindra raportime. Sipas QMK-së, pemët e rëna, degët e rrëzuara në linjat elektrike, rrëshqitjet e dheut në rrugë, pemët e rëna në çatitë e kopshteve, makinave dhe transformatorëve, automjete të ngecura në ujë, shtëpi dhe bodrume të përmbytura, rrethoja të rrëzuara, puseta të bllokuara dhe ndërprerje e energjisë elektrike, ishin disa nga dëmet e paraqitura. Nga atje njoftojnë se dëmet e shkaktuara janë duke u sanuar gjatë ditës së sotme.

QENDRA PËR MENAXHIMIN ME KRIZA

“Në rajonin e Shkupit dhe Tetovës po sanohen dëmet e shkaktuara nga reshjet e djeshme të shiut të shoqëruar me erë, shi dhe breshër. Raportohen dëmtime të shtëpive, bodrumeve, garazheve, rrugëve, drujnë të rënë dhe makina të dëmtuara”.

Nga Qendra thonë se deri në mëngjesin e sotëm në disa lokacione të qytetit të Shkupit janë regjistruar 42 raportime për rënie të drunjëve.

Nga QMK Tetovë thanë se nga mëngjesi në rajonin e Tetovës gjenden 22 zjarrfikës me 15 pompa dhe të gjitha makineritë në terren, të cilët po i pastrojnë bodrumet e përmbytura, garazhet, shtëpitë, ndërtesat dhe zonat e tjera të përmbytura. Njëkohësisht, përmbytje ka pasur edhe në Spitalin e Tetovës.

Në QMK Tetovë është raportuar edhe një rast i një gruaje të lënduar, shtëpia e së cilës është përmbytur. Për shkak të stuhisë një pjesë e madhe e Tetovës si dhe vendbanimet përreth kanë mbetur pa energji elektrike.

Era e fortë dhe reshjet kanë shkaktuar dëme edhe në kulturat bujqësore, por edhe në zonat urbane si nëpër çati, tenda, automjete dhe të tjera.
/SHENJA/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 19:09