Hospitalizohen dhe shtatë persona të tjerë me kollë të keqe, gjithsej 786 raste në vend

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 22:37

Hospitalizohen dhe shtatë persona të tjerë me kollë të keqe, gjithsej 786 raste në vend

Prej datës 14 deri më 20 qershor, janë raportuar gjithsej 41 raste të reja me pertusis, të njohur si kollë e mirë. Shumica e rasteve janë raportuar në Shkup – 31, shtatë raste janë evidentuar në Kumanova, dy në Tetovë dhe një rast në Makedonski Brod. Mosha e pacientëve sillet nga një muaj deri në 81 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha deri në katër vjeç.

Nga rastet e reja, shtatë raste ose 17.1 për qind janë shtruar në spital, informuan pasditen e sotme nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

“Deri më 20 qershor, në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë regjistruar gjithsej 786 raste të kollës së mirë me një incidencë prej 42.8/100.000 banorë. Kjo paraqet një rritje të disafishtë të numrit të sëmurëve në krahasim me periudhën e kaluar pesëvjeçare – 2019-2023, kur janë regjistruar gjithsej 10 raste”, thuhet në raportin e ISHP-së.

Shpërndarja sipas gjinisë tregon se 366 persona janë meshkuj, ndërsa 420 femra.

Numri më i madh i rasteve janë shtruar në Klinikën universitare për sëmundje të mushkërive te fëmijët në Kozle. Mesatarisht, pacientët u shtruan në spital për nëntë ditë.

Në rrjedhë janë dy epidemi të paraqitura në territorin e Shkupit dhe Kumanovës.

Nga 18 janari deri më 20 qershor, janë dhënë gjithsej 55.143 doza të vaksinës me një komponentë kundër kollës së mirë.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 24 Qershor, 2024 22:37