Ministrja e Arsimit paralajmëron një sërë ndryshimesh, përfshi dhe plan-programet mësimore

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Qershor, 2024 19:11

Ministrja e Arsimit paralajmëron një sërë ndryshimesh, përfshi dhe plan-programet mësimore

Ministrja e re e Arsimit, Vesna Janevska ka paralajmëruar një sërë ndryshimesh në arsim, madje edhe ndryshime në konceptin mësimor. Siç tha Janevska, në vitin e ri shkollor disa nga lëndët tashmë të integruara do të bëhen të posaçme ndërsa për vitin shkollor 2025/26 parashikohen planprograme të reja mësimore.

“Atë që kemi premtuar edhe do ta realizojmë. Lëndët e posaçme do të vihen në funksion që nga viti i ri shkollor dhe do të funksionojnë si lëndë të posaçme, sidomos ato të përgjithshmet si historia, gjeografia, arsimi qytetar. Ky vit do të jetë vit tranzicioni kur bëhet fjalë për planprogramet mësimore dhe lëndët. Në bashkëpunim me byronë menjëherë fillojmë të punojmë në planet dhe programet e reja, t’i ndajmë lëndët, të zbatojmë atë që mësuesit dhe prindërit thonë që nuk funksionon dhe nuk jep efekt. Për vit e ardhshëm 2025/26 të jemi të kompletuar me ndryshimet në konceptin mësimor”, deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Gjithashtu, ministra Janevska paralajmëroi mësim tërë ditorë dhe në një turn në shkollat që plotësojnë kushtet.

“Të mundësojmë mësim tërëditor në shkolla dhe proces mësimor në një turn. Do të bëjmë plan, aty ku ka kushte të fillohet me mësim tërëditor të paktën deri në klasën e katërt dhe të mësohet në një turn. I referohet kryesisht lëndëve zgjedhore si orë shtesë për matematikë, gjuhë maqedone, angleze, dramë, kor, orkestër, fotografi dhe shkathtësi njerëzore. Me këtë u’a plotësojmë kohën dhe fëmijët mos të mendojnë se 7 ose 8 orë duhet të qëndrojnë mbi libër”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Në prezantimin e sistemit të ri për menaxhim në arsim dhe ditarin e ri elektronik, ministrja Janevska tha se do të kapërcehen sfidat e së kaluarës, do të lehtësohet puna e arsimtarëve ndërsa prindërit do të kenë qasje më të lehtë dhe më shumë informata për fëmijët e tyre. Sistemi I ri do të jenë në funksion nga 1 shtatori ndërsa është realizuar me mjete financiare të Bashkimit Evropian. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Qershor, 2024 19:11