Tetovë, rigjykimi për spitalin modular shtyhet për më 25 shtator

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Qershor, 2024 19:16

Tetovë, rigjykimi për spitalin modular shtyhet për më 25 shtator

Në Gjykatën e Tetovës sot duhej të fillonte rigjykimi për rastin e djegies së Spitalit Modular, megjithatë, seanca u anulua për më 25 shtator pasi munguan përfaqësuesi zyrtar i Spitalit Klinik të Tetovës, dhe njëri nga të akuzuarit.

I akuzuari Florin Besimi, kërkoi nga mediat që të ndjekin deri në fund seancat e gjykimit, me qëllim që, siç tha ai, në fund të zbardhet tërësisht e vërteta.

Nën arsyetimin se aktgjykimi përmban mangësi në sqarimin e fakteve dhe në zbatimin e procedurës ligjore, Gjykata e Apelit në Gostivar e shfuqizoi vendimin e shkallës së parë, pjesërisht.

Në bankën e të akuzuarve vazhdojnë të jenë Spitali i Tetovës si person juridik dhe dy ish drejtorët, Florin Besimi dhe Artan Etemi. Ndërkaq, mjeku Boban Vuçeski, mbetet i lirë nga akuza pasi Apeli e konfirmoi aktgjykimin e shkallës së parë për pafajësinë e tij.

Më 8 shtator të vitit 2021 u dogj Spitali Modular i Tetovës, në të cilin trajtoheshin pacientët me COVID 19. Si pasojë, humbën jetën 14 persona.

Spitali, sipas Prokurorisë, nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, ndërkaq brenda infektivit janë futur edhe familjarë të pacientëve, pavarësisht rekomandimeve rigoroze mjekësore për parandalimin e shpërndarjes së kovidit.

Për rastin janë mbajtur disa herë protesta, ndërkaq familjarët e kanë përshëndetur rikthimin e gjykimit nga e para dhe presin që të ketë drejtësi.

Në ndërkohë, po kryhet edhe një hetim i dytë për shkaqet e zjarrit në Spitalin Modular, por kanë kaluar gati një vit, Prokuroria ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim. /Alsat.mk

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 26 Qershor, 2024 19:16