IRL: Kirurgu i cili dëshiron të bëhet lider i opozitës në RMV, po operon fshehurazi në biznes

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 28 Qershor, 2024 20:55

IRL: Kirurgu i cili dëshiron të bëhet lider i opozitës në RMV, po operon fshehurazi në biznes

Kur neurokirurgu Venko Filipçe për herë të parë mori një post shtetëror, ai më shumë njihej për shkak të mbiemrit të tij dhe familjes së tij me traditë në mjekësi. Si ministër i Shëndetësisë në periudhën nga dhjetori i vitit 2017 deri në janar të vitit 2022, karriera e tij u karakterizua me ngritje dhe rënie të shumta, shkruan IRL, transmeton Portalb.mk.

Gjatë pandemisë së COVID-19, Filipçe gëzonte besim të lartë te qytetarët dhe vlerësim të lartë në mesin e bashkëpartiakëve. Por funksioni i tij në fund përfundoi në mënyrë të palavdishme. Ai do të mbahet mend si ministri gjatë mandatit të të cilit në spitalin modular në Tetovë u dogjën 14 persona.

Dy ditë më vonë, nën presionin e fortë të opinionit, Filipçe dorëzoi dorëheqje me shkrim për arsye morale. Por kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev, nuk ia pranoi.

Ai u largua nga posti dy muaj pas tragjedisë, së bashku me kryeministrin Zaev, por për arsye krejtësisht të tjera – pakënaqësia nga rezultatet në zgjedhjet lokale. Ndërkohë Zaevi u bë shoku i tij më i mirë.

Në dy vite e gjysmë në vazhdim, Filipçe vazhdoi të punojë në Klinikën e Neurokirurgjisë në Shkup dhe mbeti politikisht aktiv si bashkëthemelues i Fondacionit Zoran Zaev. Por atë që ai nuk e ndan me publikun janë ambiciet e tij afariste jashtë spitalit.

Pas përfundimit të funksionit si ministër, Filipçe ka vendosur të futet në biznes privat me patundshmëri. Në nëntor të vitit 2022 ai ka regjistruar një kompani në Bullgarinë fqinje. Adresa e saj është në rrugën “Goce Dellçev” numër 12 në qytetin e Petriç. Në të njëjtën adresë ndodhen selitë edhe të disa kompanive në pronësi të vëllait dhe kushërinjve të ish-kryeministrit – Vice, Trajçe dhe Boban Zaev.

Rruga Goce Dellçev numër 12, Petriç

Gjatë kohës që Venko Filipçe ishte ministër i shëndetësisë në Qeverinë e Zaevit, në fletën anketuese të dorëzuar në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ai ka deklaruar vetëm një ndryshim. Në gusht të vitit 2020 ka blerë një makinë të re Mercedes me vlerë prej 45 mijë eurosh. Gjatë mandatit ai nuk ka deklaruar biznes privat dhe as më parë nuk ka pasur një kompani të tijën.

IRL zbuloi se më pak se një vit pas largimit nga posti i ministrit, më 18 nëntor të vitit 2022, Venko Filipçe në Bullgari ka themeluar kompaninë POWER i8 Ltd. Veprimtaria e parë e regjistruar e kompanisë në të cilën Filipçe është pronar dhe menaxher i vetëm është blerja, ndërtimi dhe shitja e patundshmërive, por më pas renditen edhe disa veprimtari të tjera të cilat mund t’i bëjë kjo kompani.

Mirëpo, kompania nuk ka dorëzuar raporte financiare në regjistrin bullgar, kështu që mbetet e paqartë se çfarë ka punuar deri më sot.

Në zgjedhjet parlamentare të 8 majit të vitit 2024, Venko Filipçe u bë deputet i LSDM-së në Kuvend. Me këtë ai sërish është i detyruar që të deklarojë pasurinë e tij në KSHPK, duke përfshirë këtu edhe patundshmëritë dhe kompanitë jashtë vendit, të ardhurat jashtë vendit dhe të ngjashme. Mirëpo, edhe pse e priti afatin e fundit për dorëzimin e fletës anketuese (fleta anketuese është dorëzuar më 28 qershor të vitit 2024), ai nuk e ka deklaruar kompaninë e tij në Bullgari.

Adresa në të cilën kompania është e regjistruar është rr. “Goce Dellçev” numër 12 në Petriç. Në regjistrin tregtar bullgar në të njëjtën adresë në Petriç janë të regjistruara edhe 120 kompani të tjera. Ka edhe kompani në pronësi të anëtarëve të familjes Zaev. Por në mesin e tyre nuk është edhe ish-kryeministri Zoran Zaev, i cili jo vetëm në Bullgari, por edhe në Maqedoni nuk e ka regjistruar kompaninë e tij dhe as ndonjë pronë në emër të tij.

Deputeti Filipçe sot për IRL ka konfirmuar se ka një kompani në Bullgari, por se ka harruar ta deklarojë atë në fletën anketuese. Ai tha se do ta deklarojë, por theksoi se kompania nuk ka pasur aktivitete. Ai nuk deshi të zbulojë se cili ka qenë motivi i regjistrimit të një kompanie në Bullgari, por vetëm deklaroi se në atë kohë ka pasur një ide për biznes, të cilën ende nuk e ka realizuar.

Në të njëjtën adresë në Petriç kompani kanë themeluar vëllai i ish-kryeministrit Zoran Zaev, Vice Zaev, kushëriri i parë Trajçe Zaev dhe miku i tij më i ngushtë, Venko Filipçe.

Më 1 qershor të vitit 2017, Vice Zaevi ka themeluar kompaninë Gomasidra Ltd, e dedikuar për transport ndërkombëtar, shpedicion, rent-a-car, si dhe për shitje dhe dhënie me qira të patundshmërive. Vice Zaev është pronari i vetëm, ndërsa deri në maj të vitit 2021 Trajçe Zaev – kushëriri i parë dhe partneri i tij në biznes – ka qenë menaxher bashkë me të.

Vice Zaev së bashku me gruan e tij Sllavica Zaeva ka një kompani tjetër në të njëjtën adresë në Petriç, e regjistruar në qershor të vitit 2018 Orient Group LTD. Veprimtaria e kësaj kompanie është shitja dhe dhënia me qira e patundshmërive. Në Orient Group menaxher është kushëriri Trajçe Zaev.

Kushëriri i parë, Trajçe Zaev, në regjistrin bullgar figuron si pronar i dy kompanive. Të dyja kompanitë i ka themeluar brenda dy ditësh në maj të vitit 2019. Më 13 maj, së bashku me Boban Zaevin dhe Vasko Dinevin, ai ka regjistruar kompaninë Pharma EU BG, ndërsa të nesërmen të njëjtit partnerë kanë themeluar kompaninë Medical 420 BG LTD.

Një kompani me të njëjtin emër dhe të njëjtin pronar, Medical 420, ka punuar edhe në Maqedoni për prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore. Por në vend të një biznesi të suksesshëm, kjo kompani u bë famëkeqe pasi Ministria e Punëve të Brendshme disa herë zbuloi dhe e sekuestroi kanabisin e destinuar për tregun e drogës.

OJQ-ja e Venko Filipçes nuk është aktive

Në vitin 2015 Venko Filipçe së bashku me katër persona të tjerë, themeluan organizatën joqeveritare “PHM – CEE Shkup”. Bashkëthemeluese ishte edhe Natasha Savova Sallkovska, e cila është bashkëpartiake me Filipçen nga LSDM-ja dhe e punësuar në një kompani në pronësi të biznesmenit Jordan Kamçev. Në OJQ figurojnë edhe Jane Atanasovski dhe dy persona nga Florida (SHBA) – Harry Kearney III dhe Margaret Kearney. Qëllimi për të cilin është formuar organizata joqeveritare është gjetja e zgjidhjeve për problemet ekonomike dhe sociale në sistemet shëndetësore dhe nxitja e respektimit universal të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kjo OJQ ka kohë që nuk ka kurrfarë aktiviteti.

Venko dhe Zorani në politikë, vëllezërit biznesmenë të bashkuar

Në 1 maj të vitit 2019 disa media kanë publikuar një fotografi të një takimi të ministrit të atëhershëm Venko Filipçe me vëllain e kryeministrit Zoran Zaev, Vice Zaev. Takimi është mbajtur në një restorant në Dojran dhe spekulimet ishin se Vice Zaev do ta shpëtonte Filipçen nga “fshesa” e vëllait të tij i cili paralajmëroi rikonstruim të kabinetit qeveritar. Por në të njëjtën kohë mediat shkruan se Filipçen dhe Vice Zaevin i ka lidhur diçka tjetër, biznesi i kanabisit, për kultivimin e të cilit lejet jepen pikërisht nga Ministria e Shëndetësisë.

Kryeministrit Zoran Zaev në Kuvend iu bë një pyetje lidhur me atë se cili ishte motivi që ministri i shëndetësisë Filipçe takohej joformalisht me vëllain e tij në një kafene në Dojran. Kryeministri shpjegoi se ai takim nuk dallon nga komunikimet e përditshme të Filipçes me qytetarët me të cilët bisedon për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

“Për çfarë tjetër mund të kenë biseduar?” Ndoshta kanë biseduar edhe për ajvarin “Mamas”. Nuk kanë asgjë të përbashkët, vëllai im nuk është mjek”, është përgjigjur Zaevi në pyetjen e një deputeti të opozitës.

Katër vjet më vonë në Dojran, në kulmin e revolucionit diellor që po ndodh në vend pasi kriza energjetike rriti çmimet e energjisë elektrike dhe shumëkush pa në të një shans për një biznes jashtëzakonisht fitimprurës, vëllezërit e ish-zyrtarëve bëjnë një marrëveshje biznesi së bashku.

Vëllezërit e Zaevit dhe Filipçes në biznesin me fotovoltaikë 

Energjetika ishte një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaevi në vitin 2017 dhe kjo pritej me emërimin e Zëvendëskryeministrit për Ekonomi që vinte pikërisht nga ai sektor. Përkundër angazhimeve deklarative parazgjedhore për reforma sociale dhe masat për uljen e varfërisë që do të reflektoheshin shpejt në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve, autoritetet e atëhershme më tepër iu përkushtuan ndryshimeve të shpejta në Ligjin për Energjinë që u mundësuan privilegje investitorëve të mëdhenj për të fituar para nga shfrytëzimi i energjisë diellore.

Në atë furi investimesh përfitimet e legjislacionit të miratuar i shfrytëzuan edhe familjarët më të afërt të zyrtarëve që u kujdesën për miratimin e ligjit, kështu që në biznesin e prodhimit të energjisë elektrike, përveç ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, i cili është në fron, shansin e shfrytëzuan edhe djali, vëllai dhe babai i Zoran Zaevit, djali i Ali Ahmetit, gruaja e Dimitar Kovaçevskit, por edhe kryetarë të shumtë të komunave dhe drejtorë të institucioneve shtetërore.

Kohëve të fundit në këtë biznes po futet edhe vëllai i Venko Filipçes, Nikolla, i cili i bashkoi forcat me vëllain e ish-kryeministrit Zoran Zaev, Vicen.

Në fund të vitit 2023, Vice Zaev dhe Nikolla Filipçe themeluan një kompani të përbashkët “Fos Imeras”, që e përkthyer nga greqishtja do të thotë “drita e ditës”. Pronarë të “Fos Imeras” janë dy kompani. “Total Engineering” nga Strumica në pronësi të Vice Zaevit dhe “Plus Network” nga Shkupi në pronësi të Nikolla Filipçes. Projekti i përbashkët me Vice Zaevin me termocentralin diellor në Dojran është biznesi i parë i Filipçes në sektorin e energjetikës.

Në një lokacion tërheqës, vetëm pesëqind metra në vijë ajrore nga kufiri me Greqinë, në një sipërfaqe prej 23.000 metrash katrorë në një kodër me diell, përmes kompanisë së përbashkët “Fos Imeras” të dy kanë ndërtuar një termocentral fotovoltaik për prodhimin e energjisë elektrike me një kapacitet prej 1.5 megavat.

Sipas të dhënave të cilat IRL i ka siguruar nga Komuna e Dojranit dhe Agjencia e Kadastrës së Patundshmërive, pronar i parë i tokës ka qenë kompania “Panama Resort” nga Shkupi. Në vitin 2016 ajo e ka blerë këtë parcelë shtetërore nga Republika e Maqedonisë. Qëllimi fillestar ka qenë që në të të ndërtohej një kantinë për verë. Por pronari i “Panama Resort”, një biznesmen nga Shkupi, i cili organizonte edhe festat kreative të qytetit “Basker Fest”, nuk e realizoi idenë e tij. Në vitin 2021 ai ia shiti tokën kompanisë “Plus Network” pronar i së cilës është Nikolla Filipçe.

Pas blerjes “Plus Network” paraqiti kërkesë për shndërrimin e tokës nga industria e lehtë dhe jo ndotëse në tokë për ndërtimin e termocentraleve fotovoltaike, për të cilën mori miratimin nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në mars të vitit të kaluar. Pas më pak se një muaj Këshilli i Komunës së Dojranit, ku kryetar i komunës është Ango Angov nga LSDM-ja, e ndryshon PUD-in dhe i lejon kompanisë të vendosë panele diellore në këtë parcelë.

 “Kryetari i komunës na tha – pse të bëni garë, bëni një marrëveshje”

Njëri nga pronarët e kompanisë, Vice Zaev, në një bisedë të hapur për IRL-në, thotë se bashkëpunimi me Nikolla Filipçen ka ardhur “krejt spontanisht”.

“Toka, e cila është objekt i një investimi të përbashkët, na është ofruar për shitje nga pronari, në dy takime të ndryshme, individualisht, edhe mua edhe atij. Pronari ia ka treguar kryetarit të komunës qëllimin e tij për ta shitur, ndërsa ai këtë gjë ma tha mua. Dhe ndër të tjera më tha – pse të bëni gara me oferta, edhe Nikolla është i interesuar dhe ti je i interesuar, më mirë takohuni dhe bëni një marrëveshje”, tha Vice Zaev, i cili u përgjigj në mënyrë transparente të gjitha pyetjeve të IRL-së.

Sipas tij, investimi u ka kushtuar rreth 900 mijë euro, një e treta e të cilave ka qenë kapitali i tyre, ndërsa pjesa tjetër prej 600 mijë euro është siguruar nga një kredi.

Kontraktor i gjithë investimit sipas parimit “çelës në dorë” ka qenë kompania “Feroinvest” e ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev.

Kompania e Nikolla Filipçes e merr lejen e ndërtimit në afatin më të shkurtër ligjor prej tre ditësh të përcaktuar me Ligjin për Ndërtim. Ndonëse praktika tregon se edhe në rastet kur rreth një parcele të caktuar nuk ka pronarë privatë, afati zgjat të paktën 15 ditë, administrata komunale në këtë rast ka qenë shumë ekspeditive. Kërkesa është dorëzuar më 20 qershor, ndërsa vetëm 3 ditë më pas, më 23 qershor të vitit 2023 ka qenë gati.

Kur kanë përfunduar të gjitha procedurat burokratike, ndërsa toka gati për ndërtim, kompania “Total Engineering” e Vice Zaevit në nëntor e ka blerë gjysmën e parcelës. Më pas, dy vëllezërit e zyrtarëve, më 25 dhjetor të vitit 2023 në Shkup e themelojnë kompaninë e tyre përbashkët “Fos Imeras”, e cila bëhet bartëse e lejes për ndërtimin e centralit fotovoltaik dhe pronare e parcelës atraktive.

Në prill të këtij viti, në Bankën Sprakase është marrë një kredi prej 600 mijë eurosh për ndërtimin e një nënstacioni dhe në hipotekë është vënë toka ndërtimore e cila ka një sipërfaqe mbi 23 mijë metra katrorë.

Panelet diellore tashmë janë instaluar, por termocentrali fotovoltaik ende nuk funksionon. Sipas informacioneve nga Komisionit Rregullator i Energjetikës, kjo kompani ende nuk ka kërkuar licencë për prodhimin e energjisë elektrike.

Nikolla Filipçe bisedoi me gazetarët e IRL-së, por pas bisedës telefonike, edhe pse i dërguam pyetje, ai nuk u përgjigj.

Para se të merrej me energjinë elektrike, ai është marrë me veprimtari të tjera. Kështu, kompania “Plus Network” është e regjistruar si shitëse me shumicë e mishit dhe produkteve të mishit. Ai e ka edhe kompaninë “Alimentos” SH.P.K. Shkup për programim kompjuterik, kompani me të njëjtin emër “Alimentos WORLD” në Petriç, Bullgari, si dhe “Metropolitan catalog” SH.P.K. Shkup për tregti me shumicë të parfumeve dhe produkteve kozmetike. “Alimentos WORLD” në Petriç nuk gjendet në të njëjtën adresë me kompaninë POWER i8 Ltd të vëllait të tij Venko Filipçe.

Deputeti Filipçe ka deklaruar më shumë pasuri se ministri Filipçe

Përllogaritjet nga fleta anketuese e fundit e Venko Filipçes, e dorëzuar më 28 qershor të vitit 2024 në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit si deputet, tregojnë se ai posedon pasuri në vlerë prej 850 mijë euro. Kjo do të thotë se në periudhën pasi pushoi së qeni ministër dhe deri sa u bë deputet, në dy vjet e gjysmë ai ka krijuar një kapital më të madh për 150 mijë euro.

Pasuria e deklaruar përfshin gjashtë apartamente në Shkup, një automjet në pronësi të bashkëshortes dhe një motoçikletë të re Indian Pursuit të blerë këtë vit.

Janë deklaruar edhe letrat me vlerë të blera në vitin 2008, por vlera e tyre nuk është deklaruar.

Qeveria e kaluar e udhëhequr nga LSDM-ja në vitet e fundit të qeverisjes së saj fliste se do të hetonte origjinën e kapitalit dhe pasurisë së zyrtarëve. Për çdo pasuri mbi 30 mijë euro, origjina e së cilës nuk mund të vërtetohej, do bëhej konfiskim. Por, asgjë nga kjo deri më tani nuk është zbatuar.

Më në fund, në shkurt të këtij viti këto dispozita u shndërruan në ligj, kur Kuvendi miratoi Ligjin për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile. Miratimi i këtij ligji mundëson konfiskimin e pasurisë (pasuri të patundshme, para, letra me vlerë, depozita, koncesione) fitimi i të cilave nuk mund të vërtetohet se është nga burime të ligjshme. Procedura e mbulon pronën brenda ose jashtë Maqedonisë, të qytetarëve dhe kompanive të regjistruara këtu ose jashtë vendit.

Viti 2007 është përcaktuar si viti fillestar nga kur do të shqyrtohen burimet e fondeve. Në atë kohë u miratua Ligji për qarkullim pagesor, kur të gjithë qytetarët ishin të detyruar të regjistronin llogaritë e tyre bankare në Regjistrin e vetëm të llogarive bankare.

Ligji për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile do të fillojë të zbatohet nga shtatori i këtij viti.

I preferuari i Zaevit, i pa preferuar nga disa bashkëpartiakë

Të dielën (30 qershor i vitit 2024) socialdemokratët do të zgjedhin pasardhësin e Dimitar Kovaçevskit, nën udhëheqjen e të cilit partia pësoi debakël në zgjedhjet e fundit parlamentare. Anëtarët e LSDM-së do të duhet të zgjedhin një nga katër kandidatët që vendosën të garojnë për udhëheqës. Kandidatura kanë dorëzuar Venko Filipçe, Jovan Despotovski, Sllavjanka Petrovska dhe Aleksandar Bajdevski. Të gjithë pretendentët kanë bërë fushatë mes anëtarëve këto tre javët e fundit dhe kanë lobuar për vota për ta udhëhequr partinë.

Në një intervistë për gazetën “Fokus” Filipçe ka thënë se është i vetëdijshëm se LSDM-ja do t’i humbë zgjedhjet dhe se do të shkojnë në opozitë. Por ai ka thënë se realiteti i ri politik nuk e ka dekurajuar për të kandiduar për kryetar të partisë tashmë të mundur.

“Për mua ka qenë një sfidë, njeri duhet të përfshihet dhe të ndihmojë kur është më vështirë, jo vetëm kur fitorja është e sigurt”, tha Filipçe.

Kryeministrat e mëparshëm dhe liderë të partisë, Dimitar Kovaçevski dhe Zoran Zaev, nuk mbështesin publikisht asnjë nga kandidatët. Por, në mes të fushatës, Venko Filipçe ishte folës në Athinë në Konferencën Ndërkombëtare për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm të organizuar nga Fondacioni Zaev dhe Instituti Cipras me rastin e gjashtë viteve nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës.

Mirëpo, Filipçe mohon se është i preferuari i Zoran Zaevit. Ai pohon se kjo është një tezë që, siç thotë ai, vazhdimisht promovohet nga shumë vende, por edhe nga VMRO-DPMNE-ja.

“Do e them menjëherë – absolutisht jo. Shumë shpejt pas zgjedhjes time do të shihni dallime thelbësore në mënyrën e drejtimit të partisë, ndryshime kadrovike dhe një koncept të plotë, i cili do të jetë origjinal dhe i pavarur. Unë nuk jam nën ndikimin e askujt, aq më pak nën menaxhimin e dikujt”, tha Filipçe.

Por edhe pse konsiderohet si i preferuari i Zoran Zaevit dhe i krahut të tij në LSDM, disa nga degët e partisë nuk e fshehin se Filipçe nuk është i preferuari i tyre. Së fundmi, para selisë së partisë në Aerodrom të Shkupit, aktivistët e partisë varën një pankartë me mesazhin për të dy: “Venko (Zaev), dera është e mbyllur për ju.

Në kuadër të garës për lider të ri të LSDM-së, Filipçe, si një nga organet kyçe të partisë, propozon formimin e komisionit për etikë dhe përgjegjësi. Qëllimi i tij do të ishte parandalimi i sjelljeve të pahijshme të zyrtarëve partiakë dhe shtetërorë, të cilët me veprimet e tyre do ta dëmtonin rëndë reputacionin e LSDM-së ose do ta cenonin besimin e publikut.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 28 Qershor, 2024 20:55