“Vidovdani”: Peshkopi mban fjalim politik e pelegrinët këndojnë “Kosova është zemra e Serbisë”

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 28 Qershor, 2024 20:34

“Vidovdani”: Peshkopi mban fjalim politik e pelegrinët këndojnë “Kosova është zemra e Serbisë”

Kosova ka lejuar serbët edhe nga Serbia e Mali i Zi që në Gazimestan ta shënojnë festën e Vidovdanit. Pjesëmarrësve iu gjetën flamuj e bluza me mbishkrime provokuese, ndërsa në kor “Kosova është zemra e Serbisë”. Fjalim politik mbajti edhe peshkop Joanikije.

Që në fillim të rrugës që të çon te monumenti në Gazimestan, Policia nisi kontrollet në vetura për të gjithë pjesëmarrësit e festës së Vidovdanit.

Synimi i tyre ishte evitimi i incidenteve potenciale dhe largimi i çdo materiali provokues, andaj kontrollimi i bagazheve qe standard për secilën veturë që mësyu tatëpjetës për te vendi memorial.
Për shënimin e kësaj feste religjioze ortodokse që përkujton Betejën e Kosovës, u mblodhën qindra serbë nga Kosova, Serbia, por edhe nga Mali i Zi.

Pos kontrolleve që u bënë poshtë në hyrje të rrugës, një tjetër edhe më i detajuar u zhvillua pranë portës së oborrit të monumentit.

Policia kontrolloi secilin person veç e veç dhe gjeti flamuj e bluza me mbishkrime nacionaliste e provokuese.

Disa prej këtyre personave i detyroi t’i ndërrojnë, si kusht për t’ua lejuar hyrjen.

Zbarkimi i serbëve të ardhur në mënyrë të organizuar, sidomos nga Mali i Zi, vazhdoi.

Pas legjitimimit, serbët u mblodhën pranë dhe rreth monumentit të Gazimestanit.

Para tyre mbajti fjalim peshkopi Joanikije, i cili përveçse gjatë gjithë kohës iu referua Kosovës edhe me termin Metohi, tha se Kosova është tokë e serbëve, Jerusalem i tyre.

“Nuk kam dëgjuar ende asnjë të krishterë, siç thonë disa të tjerë, që Kosova dhe Metohia të kenë humbur. Asnjë i krishterë, asnjë serb i vërtetë nuk do ta thotë kurrë këtë..  Kjo është toka jonë e shenjtë, Jerusalemi ynë, mbretëria jonë tokësore dhe qiellore”, u shpreh ai.

Pas përfundimit të fjalimit, serbë, kryesisht të rinj, hipën mbi skenë dhe nisën këngët e thirrjet nacionaliste, si “Kosova është zemra e Serbisë”, teksa mbanin lart tre gishta dhe valëvitën flamujt serbë.

Kur kremtimi përfundoi dhe nisi shpërndarja e pelegrinëve, Policia ndaloi një prej tyre, të cilit iu gjet një flamur me mbishkrimin “S’ka dorëzim”.

Në njoftimin e saj, Policia bëri të ditur se manifestimi ka kaluar pa incidente.

“Referuar informacioneve nga njësitet e angazhuara policore në terren nuk është raportuar asnjë rast i cili ka ndikuar në mbarëvajtjen e manifestimeve, përveç shoqërimit të një personi në stacion policor për intervistim sipas procedurave ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pelegrinazhi i Vidovdanit mbahet për çdo vit në Gazimestan, përveç në atë të kaluarin kur iu ndërrua lokacioni dhe u vendos të mbahej në Graçanicë, për shkak të tensionimit të situatës në veri.

Më këtë festë, serbët kujtojnë prijësin e tyre mesjetar, Car Lazarin, dhe ushtarët e tij që humbën Betejën e Kosovës në përballje me osmanët.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 28 Qershor, 2024 20:34