“Kabineti i Luftës” kishte pak fuqi, por shpërbërja e tij e dëmton rëndë Netanyahun

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 20:03

“Kabineti i Luftës” kishte pak fuqi, por shpërbërja e tij e dëmton rëndë Netanyahun

Kishte nevojë për forumin të cilin mund ta ndëshkonte dhe fajësonte lehtë kur gjërat shkonin keq, si dhe të kritikonte anëtarët për pengesat për të marrë merrte ato të cilat më vonë i quajti vendime triumfuese

Nga Alon PINKAS

Ka shumë pak dramë në vendimin e Netanyahut, ose më saktë në deklaratën e qetë dhe lakonike se po e shpërndan “Kabinetin e Luftës” të cilin vetë e formoi më 11 tetor 2023. Në aspektin kushtetues dhe në aspektin e ndikimit në politikë, është vendim i Seinfeldit: ka të bëjë me asgjë. Organi autoritar kushtetues – ai me pushtet real – është Kabineti i Sigurisë. Kabineti i Luftës ishte shpikje e përshtatshme politike dhe rrethanore. Por, tërheqja e fundit e rivalit të Netanyahut nga Qeveria, Benny Gantz, këtë forum e bëri të tepërt sa i përket vendimmarrjes politike, si dhe shpërthyes në aspektin politik meqë ministrat e krahut të djathtë tani kërkojnë të bashkohen. Shpërbërja e Kabinetit të Luftës duket si zhvillim i rëndësishëm. Nuk është. Nëse Winston Churchilli do ta shpërndante kabinetin e tij të luftës në janar 1941, tetë muaj pasi e mblodhi në maj 1940, kjo do të kishte rëndësi. Nuk është e njëjta gjë. Kabineti i luftës i Churchillit, si ai i Neville Chamberlainit para tij më 1939 apo kabineti i luftës i David Lloyd Georgeit gjatë Luftës së Parë Botërore më 1917 – i quajtur atëherë Komiteti i Politikave të Luftës – i kishte përcaktuar qartë kompetencat dhe autoritetin kushtetues dhe ligjor. Kabineti i Luftës të cilin Netanyahu e formoi në panik, në rrëmujën dhe çorientimin që pasoi në ditët pas 7 tetorit, pa dyshim që nuk i kishte këto kompetenca kushtetuese.

Siç po shihet, Netanyahu e formoi Kabinetin e Luftës për të njëjtën arsye që bëri Chamberlaini dhe veçanërisht Churchilli: për të përmirësuar procesin e vendimmarrjes, për t’i bërë më efektive debatet për politikat dhe informimet më konstruktive, si dhe për të shmangur kakofoninë e padobishme dhe demagogjinë e lodhshme nga dhjetëra ministra të cilët flasin për atë që ata besojnë se është dosja e historisë, duke ushqyer kështu vetëm audiencën e zjarrtë. Në rastin e Izraelit kishte gjithashtu një arsye kryesore politike. Qeveria e djathtë ekstremiste e papërvojë, e paaftë dhe nxitëse të cilën Netanyahu e formoi në dhjetor 2022, nuk ishte e aftë për t’u marrë me proceset e mendimit strategjik, të planifikimit dhe vendimmarrjes gjatë kohës së luftës. Netanyahu duhej të mbrohej nga kritikat, ta rrethonte veten me mburojë dhe – meqenëse “përgjegjësia” dhe “llogaridhënia” janë terma të huaj për të – t’ia bartte barrën të tjerëve.

Kishte nevojë për forumin të cilin mund ta ndëshkonte dhe fajësonte lehtë kur gjërat shkonin keq, si dhe të kritikonte anëtarët për pengesat për të marrë merrte ato të cilat më vonë i quajti vendime triumfuese. Nuk i mjaftonte të fajësonte informimin e gabuar, ushtrinë dhe Shërbimin e Sigurisë së Përgjithshme (Shabak), dhe më pas të sulmonte në mënyrë implicite – eksplicite më vonë – presidentin e ShBA-së, Jo Biden, për privimin e tij nga fitorja historike. Kishte nevojë për forumin informal të cilin më vonë mund ta sulmonte për pengesat që po i shkaktohen. Prej kohësh njihet nevoja për një qendër të përgjegjësisë, për shqetësimet e menjëhershme të sigurisë dhe luftës. Në prill të vitit 1974, raporti i komisionit Agranat – i krijuar si hetim mbi befasinë strategjike që çoi në luftën e Jom-Kipurit më 1973 – publikoi gjetjet, përfundimet dhe rekomandimet e veta. Ndër to ishte nevoja specifike për të formuar një Kabinet Sigurie i cili do të përbënte Kabinetin e Luftës në rast lufte. Veçse ekzistonte forumi jozyrtar, grupi “Kuzhina” i kryeministres Golda Meir, dhe ai nuk ishte ndryshe nga Kabineti i Luftës i Netanyahut më 2023.

Ky rekomandim u përsërit dhe u përforcua në raportet e komisionit të Vinogradit për luftën e vitit 2006 në Liban. U formua një kabinet dhe, në vitin 2017, një komision tjetër përcaktoi kompetencat e tij të sakta dhe mënyrën e punës. Gjithë këto referenca lidhen me Kabinetin e Sigurisë dhe të Punëve të Jashtme, jo me Kabinetin jozyrtar të Luftës të cilin e formoi Netanyahu. Ky ishte një organ konsultativ ku do të mbaheshin diskutimet dhe debatet, do të shkëmbeheshin idetë dhe do të mbikëqyrej dhe kontrollohej zbatimi zyrtar i vendimeve të kabinetit. Në fakt, kur e shikon menaxhimin dhe zhvillimin e luftës, si dhe cilësinë e vendimeve që u morën – veçanërisht pavendosmërinë – mund të thuhet se as formimi dhe as shpërbërja e Kabinetit të Luftës nuk kanë ndonjë rëndësi të drejtpërdrejtë politike. Por, kjo nuk do të thotë se nuk ka implikime politike. Ka, me bollëk. Së pari është ajo çfarë kabineti i luftës nuk arriti të bëjë. Prania e dy ish-shefave të shtabit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit të transformuar në politikanë, ish-gjeneralët Gantz dhe Gadi Eisenkot, supozohej se do të shtonte ekuilibrin, seriozitetin dhe qëllimin. Në vend të kësaj, ata nuk arritën të siguronin nga Netanyahu një vizion koherent për Gazën e pasluftës, përkufizimin e qëllimeve të arritshme politike të luftës dhe të planeve për menaxhimin taktik dhe operacional të luftës. Për shembull, sapo Forcat Mbrojtëse e identifikuan Gazën jugore si qendër e gravitetit të Hamasit, Kabineti i Luftës dështoi të vinte në dyshim vendimin për të pushtuar veriun.

Gjithashtu, dështoi keq në zbatimin e një force më ndryshe për të shmangur vdekjet pa dallim të civilëve në Gazë. Më e çuditshmja, Kabineti i Luftës në mënyrë të turpshme dështoi t’i përgjigjet kornizës së Bidenit për Gazën e pasluftës – procesit politik me palestinezët dhe strukturën e sigurisë për të rikonfiguruar Lindjen e Mesme. Ajo që ia doli të bënte ishte ndikimi në sulmin e parakohshëm e ndoshta të pamatur ndaj Hezbollahut në Liban në mes të tetorit dhe pushtimi i pashpirt i Rafahut në maj. Në të njëjtën kohë, shpërbërja e Forumit të Kabinetit të Luftës e privon Netanyahun nga legjitimiteti dhe ngushton hapësirën e tij të manovrimit. Tani ShBA-ja nuk ka as aleatë politikë dhe as forum për t’u marrë me të.

Shpërbërja mund të mos ndikojë në politikë, por Netanyahun e dobëson edhe më shumë politikisht. Ai e ka përgjegjësinë jo vetëm mbi debaklin e 7 tetorit, jo vetëm të menaxhimit të luftës, por edhe mbi javët në vazhdim – dhe tani përballet i vetëm.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 20:03