Kirurgji, kompresorët që nuk punojnë do të vihen në funksion deri në fund të dhjetorit

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:09

Kirurgji, kompresorët që nuk punojnë do të vihen në funksion deri në fund të dhjetorit

Ministria e Shëndetësisë e ka nënshkruar tenderin e kompresorëve për sallat kirurgjike në Qendrën Klinike. Ministri Arben Taravari thotë se kompresorët që nuk punojnë maksimum deri në fund të dhjetorit do të vihen në funksion. Ndërkohë, shton se ndërkohë do të shohin mundësitë që të organizohen me spitalin “8 shtatori” dhe spitalin e qytetit që të kordinohen për operacionet urgjente.

Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë

“Tashmë është publikuar tenderi për kompresorët që nuk punojnë. Koha maksimale deri kur do të përfundojnë dhe të kthehen në gjendje funksionale, shpresoj që të jetë fundi i dhjetorit. Ndërkohë ne do të insistojmë që sa më shpejtë që mundet të përfundoj dhe të vihen në funksion sallat e kirurgjisë në Qendrën Klinike Shkup”.

Ministri u zotua se do të punojnë në drejtim të asaj që të mos ketë më specializim privat dhe se këtë javë do të takohet me specializatët privat. Ndërsa theksoi se me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë do të bisedojnë për të ngrirë disa specializime dhe të tjerat të favorizohen siç janë anasteziologjia, radiologjia, patologjia, pediatria.

Arben Taravari, ministër i Shëndetësisë

“Brenda javës shpresoj që të kem një takim me specializantët privat sepse askund në botë nuk ka specializime private. Do t’i dëgjoj edhe ato se çfarë thonë që të ju japim vendime pune dhe nga viti tjetër të mos ketë më specializime private”.

Taravari gjithashtu u shpreh se po pret emërimin e drejtorit të ri të Fondit Shëndetësor për të vepruar dhe për atë që pas 15 vitesh vendi të ketë listë të re pozitive të ilaçeve, e cila do të përditësohet koh pas kohe. Ndërsa shtoi se do të ketë ligj të ri për ilaçet, që përveç se siç tha do të ketë ilaçe kualitative, të ketë përdorim racional dhe pamundësim të keqpërdorimit të tyre.

/SHENJA/

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 1 Korrik, 2024 19:09